Prokuroria e Gjilanit

Kërkohet paraburgim për dy personat e dyshuar për rastin e vrasjes që ndodhi më 07 nëntor në Gjilan

Prokuroria e Gjilanit ka paraqitur kërkesën për paraburgimin ndaj dy personave të dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje lidhur me rastin e vrasjes që ka ndodhur më 07.11.2024.

Kërkesa për paraburgim është paraqitur ndaj personave me inicialet V.S. dhe F.M.

Sipas Prokurorisë, më 07.11.2024 rreth orës 13:55 është privuar nga jeta një person.

Kjo vrasje, sipas Prokurorisë, është bërë nga marrëveshja paraprake mes dy të dyshuarve, pasi e kanë përcjellë tashmë të ndjerin duke iu vënë pas me biçikleta më ç’rast pasi viktima ka dalë nga vetura janë afruar të pandehurit dhe V.S. gjuan me armë mbrapa shpine me ç’rast i njëjti ka ndërruar jetë.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.S. dhe F.M., me datën 7 nëntor 2024, rreth orës 13:55 minuta, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake, e kanë përcjellë të njëjtin duke i’u vu pas me biçikleta, me ç’rast pasi i ndjeri ka dalë nga vetura, afrohen të pandehurit dhe nga afërsia i pandehuri V.S., gjuan një herë me armë në drejtim të tij në anën e majtë mbrapa shpinës, i cili për shkak të plagës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas ikin në drejtim të panjohur”- thuhet në kërkesën për paraburgim të Prokurorisë së Gjilanit.

Për këto veprime të dyshuarit sipas Prokurorisë dyshohen se kanë kryer veprën – vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Ndërsa i pandehuri V.S. edhe për armëmbajtje pa leje.

Të dyshuarit gjenden në masën e ndalimit prej 48 orësh.

Dy të dyshuarit për vrasjen që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024 ishin dorëzuar në Polici, të martën, më 12.11.2024.

Policia e Rajonit të Gjilanit ka njoftuar përmes një komunikate se besohet se dorëzimi erdhi pas presionit që Policia ka bërë përmes hetimeve intensive.

“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç ‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)” – thuhej në komunikatën e Policisë.

Viktima S.O., i lindur në vitin 1987, mbeti i vrarë në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’ në Gjilan.

Po ashtu, Policia kishte njoftuar se në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante policore, prokurori dhe zyrtarët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

KALLXO.com kishte raportuar se Policia në Gjilan kishte marrë informacionin rreth orës 13:50 se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit”.