Ilustrim

Kërkohet paraburgim për 8 rojet e pyllit që dyshohet se u korruptuan

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar 30 ditë paraburgim kundër 8 rojeve të pyllit të cilët u arrestuan në aksionin e djeshëm policor të koduar “Mbrojtja e Pyjeve 2021”.

Zyrtarët N.A, B.B, H.B, S.M, R.U, A.A , A.B dhe B.U po dyshohen se kanë marrë shuma të ndryshme të parave nga prerësit e pyjeve dhe nuk i kanë raportuar të njëjtit në këmbim të parave.

Përpos dyshimeve për keqpërdorim dhe marrje ryshfeti S.M, A.B, A.A, B.B dhe H.B dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se të njëjtit janë filmuar duke marrë para dhe se nga video incizimet dëgjohen edhe tek bisedojnë.

Tutje dosja e Prokurorisë përshkruan se të dyshuarit kanë pasur kontakte të vazhdueshme me prerësit të pyjeve.

Tetë të arrestuarit dyshohen se nuk e kishin zbatuar ligjin dhe u kanë mundësuar disa personave që të bëjnë prerjen e drunjëve në kundërshtim me ligjin.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit duhet të mbahen në paraburgim pasi nëse gjenden në liri mund të ndikojnë në bashkëpjesëmarrësit e tjerë e po ashtu rrezikojnë që të vazhdojnë të kryejnë vepra të tilla penale.

Dje pas dite në një aksion të madh policor të njëjtit u arrestuan në tetë lokacione të ndryshme të rajonit të Ferizajt.

Gjatë arrestimeve në lokacionet e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë në vijim: Armë gjuetie 6 copë, revole 2 copë, 6 karikatorë të revoles, 2 karikatorë të AK-47,  20 fishekë cal. 9 mm, 30 fishekë 7.65, 4 fishekë cal.12 mm, 13 telefona mobilë, 1 çekan për damkosje dhe materiale të tjera si fletore xhepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë etj.

Të arrestuarit e sotëm në Ferizaj janë zyrtarë të Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari