Mariuhanë e konfiskuar në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë. Foto: Policia e Kosovës

Kërkohet paraburgim për 6 të dyshuarit që u kapën me rreth 60 kg marihuanë

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për 6 të dyshuarit, që u kapën ditë më parë gjatë një aksioni të anti-drogës, në të cilin u konfiskuan rreth 60 kilogramë substancë narkotike.

Prokuroria ka kërkuar paraburgimin ndaj tre shtetasve të Shqipërisë me inicialet S.B., B.R. dhe Gj.R., si dhe ndaj tre shtetasve të Kosovës me inicialet N.M., A.M., dhe A.M., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh që nga data 20 prill.

Sipas Prokurorisë, aksioni dhe arrestimi i të dyshuarve ka ardhur pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Duke përshkruar veprimet e të dyshuarve, Prokuroria thotë se i dyshuari me inicialet Gj.R., i ka shitur substanca narkotike të llojit marihuanë të dyshuarve N.M., A.M. dhe A.M., të cilën me automjetin e tipit ‘Mercedes’ e kanë transportuar nga Shqipëria në Kosovë, tek i dyshuari tjetër B.R.

“Rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Tutje, Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit në automjet, janë gjetur 10 kilogramë e 583 gramë marihuanë, ndërsa në garazhin e shtëpisë, pronë e të dyshuarit N.M., Policia ka gjetur dy thasë me peshë rreth 18 kilogramë dhe 12 kilogramë, ku të dyshuarit do ta transportonin për në Serbi.

“Ndërsa, i pandehuri S.B., marihuanën e marrë nga Gj.R., me  automjetin e tipit “Mercedes” po ashtu me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë, ku rreth orës 05:40 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, me destinacion të arrijë në Prishtinë, e kur arrin në lagjen “Uglar” të Fushë Kosovës ndalohet nga policia, e gjatë kontrollit të automjetit në bunkerin e modifikuar të automjetit policia gjen 10,072 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të destinuar për tregun e Prishtinës”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë.

Me këto veprime, të dyshuarit dyshohen se kishin për ta kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjithashtu në cilësi të provave janë sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike marihuanë; tri vetura të tipit Mercedes; 7 telefona celular; 10 mijë e 507 euro; si dhe disa monedha Lekë të Shqipërisë dhe Denarë të Serbisë.

Aksion i Policisë, 5 persona kapen me rreth 60 kg drogë – PAMJE