Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj kryetarit të Pejës

Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka konfirmuar para mediave se si bazë është përmendur ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’.. Të dyshuarit mes vetë kanë lidhje familjare” – tha Nallbani Gacaferri më 27.10.2024.

Prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri

Sot në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet seanca dëgjimore për këtë rast.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë mëngjesin e së shtunës, 26.10.2024, cak i sulmit fizik në Pejë.

Policia e Kosovës në raportin e sotëm thotë se ende nuk dihen motivet. Për këtë sulm ndaj kryetarit dhe një personi tjetër që ishin bashkë, janë arrestuar dy të dyshuar.

Pak orë pas sulmit, “Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave më 26.10.2024