Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje ndaj vëllait të tij

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgim ndaj të dyshuarit, i cili për shkak të një mosmarrëveshje familjare për pronë, ka tentuar të vras vëllain e tij dhe dy persona të tjerë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, paraburgimi për të dyshuarin I.O është kërkuar për veprat “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se ngjarja ka ndodhur më 23 korrik në Komunën e Vitisë.

“I dyshuari I.O., për shkak të një mosmarrëveshje familjare, rreth një prone, me dashje dhe me qëllim, ka tentuar t’a privojë nga jeta vëllaun e tij, tani të dëmtuarin O.O., duke rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve H.O. dhe F.O., ashtu që pas fjalosjes ka shtënë dy herë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast të dëmtuarit O.O., i ka shkaktuar lëndime në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, ndërsa, të dëmtuarës H.O., i ka shkaktuar lëndime në krahun e majtë, të cilët për shkak të natyrës së lëndimeve janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikat.

Tutje thuhet se i dyshuari I.O., në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi një armë zjarri dhe një revole me gaz.