Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm seksual ndaj 6-vjeçares në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka ndaluar personin me inicialet H.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” ndaj një 6-vjeçareje në Prishtinë.

Në njoftimin e Prokurorisë është thënë se sot, nga Prokurori i Shtetit është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në gjykatën kompetente.

Tutje është thënë se ndaj këtij rasti, prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.​

Portali Dukagjini ka siguruar pamje nga përballja e qytetarëve me një person që dyshohet se sulmoi seksualisht një të miture 6-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur në Prishtinë, të mërkurën e 27 korrikut. Vetëm të mërkurën e 27 korrikut të vitit 2022, janë raportuar tri raste të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, janë vendet ku dyshohen të kenë ndodhur ngjarjet.

Për njërin nga këto raste, i ndodhur në kryeqytet, Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin.

Siç është mësuar nga burimet e portalit, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç.

Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.

Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.

Dëshmitarët të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.

Por, kësaj radhe, i dyshuari gënjen sërish. Ai pohon se është gjyshi i viktimës 6-vjeçare.

Të njëjtit e marrin vajzën, e cila sipas tyre dukej e frikësuar dhe po dridhej. E dërgojnë te familja e saj, për t’ia treguar tërë ngjarjen prindërve.

E shokuar nga rasti, nëna e viktimës së bashku me dy dëshmitarët e rastit, shkojnë të përballen me të dyshuarin në dyqanin e tij.

VIDEO – Dyshohet se e sulmoi seksualisht 6-vjeçaren, qytetarët përballen me të dyshuarin