Foto-ilustrim

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunimin e një të miture në Junik

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar paraburgim ndaj një personi, i cili dyshohet se ka dhunuar seksualisht një të mitur në Junik.

Sipas prokurorisë, në mes të datave 3 dhe 5 maj 2022 në Junik, në shtëpinë e tij, i pandehuri Sh. Ll., me përdorim të forcës e ka detyruar të miturën H. F të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i pandehuri fillimisht e ka takuar dhe përshëndetur të dëmtuarën në rrugë, por e njëjta nuk ka ndaluar dhe ka vazhduar rrugën. Më tej, i pandehuri e ka përcjellë dhe përsëri e ka takuar të dëmtuarën duke e ftuar për kafe në një lokal në Gjakovë.

“Pasi qëndrojnë për një kohë në lokal, i pandehuri më pas e fut të dëmtuarën në automjet dhe e dërgon në shtëpinë e tij në Junik, dhe gjatë qëndrimit në shtëpi i pandehuri me përdorim të forcës dhe pa pëlqimin e saj tri herë kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se e dëmtuara ka arritur që të dalë nga dritarja e shtëpisë, të largohet nga vendi i ngjarjes dhe e ka paraqitur rastin në polici.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Sh. Ll., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 11 maj 2022.