Foto-ilustrim

Kërkohet paraburgim ndaj fermerit që dyshohet se përfitoi subvencion mijëra euro me dokumente të rreme

Një fermer është arrestuar dje nën dyshimin se duke ushtruar ndikim të kundërligjshëm ka përfituar subvencion në vlerë prej dhjetëra mijëra euro në vitin 2020.

Lidhur me rastin, Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se i dyshuari, Xh.U., përmes paraqitjes së dëshmive dhe të dhënave të rreme dhe duke ushtruar ndikim të kundërligjshëm ka përfituar subvencion në vlerë prej dhjetëra mijëra euro në vitin 2020.

Ndërsa, Prokuroria kishte thënë se i arrestuari në cilësinë e fermerit (përfituesit të subvencioneve), ka paraqitur të dhëna të rreme dhe jo të sakta me rastin e aplikimit për subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), me qëllim të përfitimit të subvencioneve duke i shkaktuar dëm të madh buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale – mashtrimi me subvencione dhe ushtrimi i ndikimit.

Prokuroria e Prishtinës: I dyshuari për mashtrim me subvencione është fermer