Foto: Prokuroria e Pejës

Kërkohet paraburgim ndaj 5 zyrtarëve të Komunës së Pejës

Prokuroria e Pejës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj 5 zyrtarëve të komunës së Pejës të cilët u arrestuan dje nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të korrupsionit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Masa e paraburgimit është kërkuar ndaj drejtorit të Kadastrës dhe atij të Pronës, si dhe 3 zyrtarëve të tjerë në këtë komunë.

Ndërsa 2 gjeodetët e licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës do të hetohen në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka raportuar dje për arrestimin e 7 zyrtarëve të kësaj komunë.

Ky aksion i prokurorisë në Pejë ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet e kundërligjshme.

Para disa javësh Prokuroria e Pejës kishte dhënë urdhër për ndalimin e drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit, nën dyshimin se kishin kryer vepra penale të korrupsionit.

Po ashtu u arrestuan edhe zyrtarë tjerë në këto komuna. Gjykata ndaj tyre ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

 

Arrestohen drejtori i Kadastrës dhe ai i Pronës në Komunën e Pejës