Kërkohet paraburgim edhe për një të dyshuar në rastin ‘Brezovica’

Prokuroria Themelore në Ferizaj po vazhdon hetimet në rastin “Brezovica” dhe në lidhje për këtë rast sot ka kërkuar paraburgimin edhe për një person.

Sipas komunikatës për media, prokuroria, të dyshuarin A.Sh., e ka ndaluar nën dyshimet se i njëjti ka marrë ryshfet.

Në këtë komunikatë thuhet se i njëjti është i ndaluar nga prokuroria që dje, me datë 12 shtator të këtij viti dhe sot është kërkuar nga Gjykata caktimi i masës së paraburgimit për 30 ditë.

Në lidhje me rastin e njohur për publikun si “Brezovica” tashmë janë zhvilluar disa aksione nga ana e policisë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Aksioni është vazhdimësi e aksioneve të kryera të rastit Brezovica. Qëllimi është identifikimi i ndërtimit të objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar.

Ky hetim disa mujor ka rezultuar i suksesshëm për Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Departamentin për Krime të Rënda, për këtë rast janë ndaluar edhe 4 persona të tjerë, të cilëve iu është caktuar paraburgimi e më vonë janë liruar.

Siç pretendon Prokuroria, veprat penale të korrupsionit dyshohet të kenë ndodhur brenda tre viteve, 2016-2019.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për arrestimet që janë bërë në këtë rast dhe të gjitha artikujt mund t’i lexoni këtu.