Foto: Kallxo.com

Kërkohet nga Serbia hapja e dosjeve për të pagjeturit

Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë me hapjen e të gjitha dosjeve dhe dhënien e informatave që kanë të bëjnë me personat që aktualisht janë në listën e të pagjeturve që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, thuhet në një raport të publikuar sot nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Raporti thotë se hapja e dosjeve për të pagjeturit dhe dhënia e informacioneve për këta persona do të ndihmonte në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur.

Shpend Voca, drejtor ekzekutiv i RIDEA, tha identifikimi relativisht i ulët i personave të pagjetur gjatë viteve të fundit paraqet një brengë të veçantë ndërsa shtoi se edhe institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare janë përgjegjëse për këtë.

“Si Kosova ashtu dhe Serbia janë të detyruara të bashkëpunojnë me qëllim të identifikimit të personave të pagjetur. Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë të hap të gjitha dosjet dhe informacionet që kanë të bëjnë me gjetjen e këtyre personave. Kontributi i  qeverisë së Serbisë për këtë çështje duhet të shihet si shenjë paqe nga ana e saj”, tha Voca.

Ai shtoi se ekziston një perceptim nga ana e qytetarëve se shteti serb posedon informacione për të pagjeturit nga Kosova por që i fsheh ato.

Mbi 1 mijë e 600 persona nga të gjitha komunitetet rezultojnë ende të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.

Ndërsa sa i përket të zhvendosurve, Albulena Jaha bashkëpunuese në këtë projekt theksoi se Mitrovica është rajoni me numrin më të lartë të të zhvendosurve me 7 mijë të tillë kanë kaluar nga veriu në Mitrovicën e Jugut.

“Deri në vitin 2013 janë ndërtuar 972 shtëpi për të kthyerit. Megjithatë, është raportuar se vetëm 651 nga numri i përgjithshëm i shtëpive kanë qenë të banuara. Ekziston një bindje e përgjithshme se pasi janë fituar shtëpi, ato janë shitur ose braktisur nga pronarët e tyre”, thuhet në raportin e RIDEA.

Problemet kryesore me të cilat përballën personat e zhvendosur në Kosovë kryesisht lidhen me integrimin social dhe ekonomik siç janë disponueshmëria e shërbimeve publike, mundësitë për gjenerimin e të ardhurave, siguria dhe lira e lëvizjes.

Gjithashtu në dialogun Kosovë-Serbi, RIDEA kërkoi të përfshihet dhe diskutimi i të të zhvendosurve nga Lugina e Preshevës.