Kërkohet lirimi i Nezir Mehmetaj, po mbahet në burg në Serbi që 2 vjet

Nezir Mehmetaj nga komuna e Klinës tash e dy vjet është arrestuar në pikën kufitare në Merdare nën dyshimet për krime lufte dhe që prej asaj kohe po qëndron në paraburgim në Serbi. 

Bashkëvendësit e Mehmetaj sot kanë protestuar para Qeverisë në Prishtinë duke kërkuar lirimin e tij.

Familjarja e tij, Verona Mehmetaj tha se arsyeja e tubimit është për të protestuar dhe alarmuar njëkohësisht edhe institucionet e Kosovës.

“Ai është i punësuar që 30 vite në Zvicër, duke qenë i papërfshirë në luftën e fundit në Kosovë. Kjo më së miri faktohet përmes dëshmive të qëndrimit të tij në Zvicër”, tha ajo.

Verona Mehmetaj pretendon se aktakuzat janë të pabazuara.

“Aktakuzat e gjykatës serbe për përfshirjen e familjarit tonë në luftën e fundit janë më shumë se imagjinatë”, u shpreh më tutje ajo.

Në këtë protestë ishte e pranishme edhe Policia e cila po qëndronte tek objekti i Qeverisë.

Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999.

Mehmetaj akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë në të kaluarën kanë kërkuar nga institucionet Bashkimit Evropian që të bëjnë presion ndaj institucioneve serbe që të lirohet Nezir Mehmetaj.

Foto: KALLXO.com Protesta për Nezir Mehmetaj