Kërkohet krijimi i trupës së qëndrueshme të aktorëve në Teatrin 'Dodona'

Skenaristi dhe regjisori Naser Shatrolli, i ka bërë thirrje kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit për krijimin e një trupe të qëndrueshme artistike teatrore për Prishtinën në teatrin “Dodona”.

Shatrolli i ka bërë ftesë publike Ahmetit edhe në emër të brezit të babait të tij aktorit, Ali Ahmeti, që ta krijoj këtë trupë.

“Të lutem, merre një vendim racional, duke rezonuar pro kërkesës së kësaj trupe dhe këtij komuniteti teatror, që sot, ata i duhen skenës së Faruk Begollit – “Dodona” gjersa ajo skenë identifikohet edhe me emrin e tij”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Faruk Begolli, i dha kuptim jetik me shfaqje te shumëmirëpritura, të cilat kanë ngelur kumt kohe për skenën e “Dodonës”, në kohën e okupimit.

Tutje, Shatrolli ka shkruar se Teatri “Dodona” ishte parlament paralel karshi pushtuesve dhe do të ishte  motiv shtesë për Shpen Ahmetin që ta ridimensionoj këtë ide, duke e përplotësuar skenën me aktorë të rinj.