Ilustrim

Kërkohet hapja e çerdheve për fëmijë

Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private (AIPP) ka kërkuar rihapjen e institucioneve parashkollore në Kosovë, të cilat u mbyllën nga Qeveria e Kosovës si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Përmes një njoftimi, AIPP ka bërë të ditur se kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e çerdheve, duke kërkuar që deri të mërkurën të anulohet ky vendim.

Nëse institucione nuk lejojnë rihapjen e kopshteve/çerdheve private në Kosovë, AIPP paralajmëron mundësinë mbylljen e tyre për shkak të vështirësive financiare.

“Deri ditën e mërkurë 15.09.2021 të rihapen kopshtet/çerdhet në të kundërtën nuk kemi mundësi të mbijetesës financiare dhe detyrohemi t’i mbyllim objektet tona deri në përfundimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e AIPP-së në Facebook.

AIPP bën të ditur se rastet e infektimeve me COVID-19 të fëmijëve në kopshte/çerdhe janë pothuajse zero.

AIPP potencon më tej se vendimi për mbylljen ka krijuar pasoja psiko-sociale te fëmijët si pasojë e mbylljes në shtëpi, probleme për prindërit për shkak të punës dhe vështirësi financiare për institucionet parashkollore.

“Me vendimin e mbylljes së çerdheve, është dashur të mendohet edhe mënyra e kompensimit të çerdheve”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e AIPP-së.