Kërkohet ekzaminimi psikiatrik, ndërpritet seanca ndaj ish-zyrtarit policor i akuzuar për vrasje të rëndë

Ish-zyrtari policor Vllaznim Hamdia, i akuzuar për vrasje të rëndë ka dalë sërish para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë, e cila atë e ngarkon me tri vepra penale, vrasje të rëndë, armë mbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Por seanca ndaj tij u ndërpre pasi do t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik, nga një grup ekspertësh nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë.

Një propozimin të tillë në seancën e sotme, e dha eksperti i Psikiatrisë Forenzike Bujar Obërtinca, i cili nga trupi Gjykues kërkoi që ndaj të akuzuarit të bëhet ekzaminimi në mënyrë ekipore, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Andaj pas propozimit të ekspertit Obërtinca, trupi Gjykues e ndërpreu seancën për t’u bërë ekzaminimi i kërkuar ndaj të akuzuarit Vllaznim Hamdia.

Seanca e radhës do të vazhdohet më 16 qershor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ngjarja sipas Prokurorisë, kishte ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij (i akuzuari), shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.

Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/lajm/nga-muzika-me-sharkia-e-deri-tek-vrasja-nga-ish-zyrtari-policor-rrefehet-deshmitari-i-rastit/.