Prona në lagjen Kalabria, Foto: KALLXO.com

Kërkohet ekspertizë e re në kontestin gjyqësor rreth pronës në të cilën Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e një shkolle

Në Gjykatën e Prishtinës më 20.09.2024 është mbajtur seanca rreth propozimit për caktimin e masës së sigurimit për rastin e pronës në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, në të cilën ka filluar ndërtimi i një shkolle nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë seancë, ndër të tjera, përfaqësuesi i ndërhyrësve Florim Canolli dhe Lume Canolli, avokati Shemsedin Thaqi, propozoi ekspertizë të re për rastin nga ajo e dorëzuar prej ekspertit gjyqësor të gjeodezisë, Ardi Simnica, si dhe ekspertizë grafologjike.

“I propozojmë Gjykatës, pasi që kemi vërejtje në këtë ekspertizë, nxjerrjen e provës me ekspertizë të re nga lëmia e gjeodezisë. Detyrat e ekspertit janë të sqarojë se si kanë ndodhur ndërrimet në regjistrat kadastralë, të na japë sqarime lidhur me gjendjen e regjistrave kadastralë para luftës dhe këto të prezantuara në shkresat e lëndës si dhe të bëhet nxjerrja e provës nga lëmia e grafologjisë lidhur me kontratën e këmbimit të tokës i datës 21.09.1966” – deklaroi gjatë seancës avokati Shemsedin Thaqi.

E vërejtje lidhur me ekspertizën e ekspertit Ardi Simnica pati edhe përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Rina Govori. Kjo e fundit nuk e kundërshtoi propozimin për ekspertizë të dytë dhe as ekspertizën e grafologjisë.

“Nuk e kundërshtojmë pasi që kjo ekspertizë vetëm është shabllon nga provat të cilat janë dorëzuar nga palët paditëse e të cilat nuk e tregojnë gjendjen reale të ngastrës kontestuese e as ekspertizën e grafologjisë” – deklaroi përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Rina Govori.

Kurse përfaqësuesi i paditësit Jovan Stankoviq, avokati Ragip Zeneli, e kundërshtoi propozimin për ekspertizë të gjeodezisë por jo edhe ekspertizën e grafologjisë.

“Unë jam i bindur se propozimin e kërkuar edhe eksperti i ardhshëm nuk do të mund ta plotësojë sepse ka kërkuar për regjistrat kadastralë të paraluftës të cilët gjenden në Serbi dhe kolegu im tani më këtë kërkesë po del në kundërshtim me atë që në seancën e kaluar ka theksuar që të mos merret parasysh historiku i cili merret nga librat të cilat gjenden në Serbi. Nga shkaqet që theksova dhe për hirë të moszvarritjes së procedurës pasi është fjala për masë të sigurimit dhe se puna në objekt është ndërprerë, unë i propozoj Gjykatës që propozimi i kolegut të refuzohet si i pabazuar” – deklaroj avokati Ragip Zeneli.

“Lidhur me ekspertizën e grafologjisë nuk e kundërshtoj” – shtoi ai.

Propozimin për ekspertizë të gjeodezisë e kundërshtoi edhe përfaqësuesi i ndërhyrësit Visar Ahmeti, avokati Ekrem Agushi.

“Ekspertiza është e drejtë dhe profesionale, ndërsa propozimet me detyrat me detyrat e paraqitura nga propozuesi nuk kanë asnjë ndikim në ndryshiim apo plotësim të ekspertizës sepse ndryshimi apo plotësimi i mendimit në këtë situatë mund të bëhet vetëm nëse pala siguron ndonjë provë të re apo dokument të ri në bazë të të cilit mund të vijë deri te përfundimi se ekspertiza duhet të ndryshohet apo plotësohet” – deklaroi avokati Ekrem Agushi.

Përfaqësuesi i ndërhyrësve Ahmeti e kundërshtoi edhe propozimin për ekspertizë të grafologjisë.

“Sa i përket propozimit për ekspertizë të grafologjisë te njëjtën e kundërshtojmë me arsyetimin se ndërhyrësi i dytë në kërkesëpadi ka kërkuar vetëm vërtetimin e të drejtës së pronësisë në paluajtshmërinë kontestuese ndërsa nuk ka kërkuar anulim të kontratës çfarëdo qofte kontratë që pretendon i autorizuari i ndërhyrësit të dytë” – deklaroi avokati Ekrem Agushi.

Në fund të seancës, gjyqtarja Rrezarta Ajeti mori aktvendim përmes të cilit vendosi se lidhur me propozimin për nxjerrjen e provës së re nga lëmia e gjeodezisë dhe grafologjisë Gjykata do të marrë aktvendim jashtë seancës.

Kallxo.com për këtë rast ka raportuar edhe me herët, pas pretendimit të qytetarit Visar Ahmeti se një pjesë e pronës ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e shkollës i takon atij.

Për vërtetësinë e kësaj prone deri më tani janë mbajtur 29 seanca gjyqësore dhe gjykata ende nuk ka nxjerrë një vendim për këtë.

Komuna e Prishtinës, pavarësisht së prona ndodhet në kontest gjyqësor, ka filluar ndërtimin e shkollës dhe Komuna thotë se punimet do të vazhdojnë deri sa nuk ka një vendim nga gjykata.