Foto: KALLXO.com

Kërkohet dënimi i komandantit policor në Zhur, dyshohet se ia ktheu vozitëses patent-shoferin e konfiskuar

Prokuroria e Prizrenit kërkoi të martën dënimin e komandantit të nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri.

Susuri po gjykohet se ka ndërhyrë në një gjobë për kundërvajtje dhe ia ka kthyer një qytetareje patent-shoferin që i ishte konfiskuar nga Policia.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Arjana Shajkovci ka kërkuar nga gjykata që Susuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Sipas Shakovcit në bazë të deklaratave të dhëna në prokurori si dhe në shqyrtim gjyqësor, i akuzuari nuk e kishte mohuar faktin se ka bërë ndërhyrje në tiketën kundërvajtëse.

“Me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari Susuri ka vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare”, shtoi prokurorja Shaikovci.

Në anën tjetër, avokati Hazër Susuri ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza pasi sipas tij, në asnjë fazë të procedurës penale nuk janë provuar faktet me të cilat e inkriminojnë atë.

“Pretendimet e akuzës nuk mund të qëndrojnë sepse nuk kanë mundur të provohen dhe nuk bazohen ne fakte të cilat përbëjnë elementet qenësore të veprës penale”, tha avokati.

Avokati Susuri tutje mohoi se Ziber Susuri në cilësinë e personit zyrtar ka lëshuar urdhrin e ndryshimit të dokumentit zyrtar-fletëparaqitjen e kundërvajtjes.

“Personat zyrtarë të cilët e kanë lëshuar dokumentin zyrtarë kanë qenë Vllazin Fanaj dhe Driton Krasniqi  e jo Zyber Susuri”, ka thënë avokati.

Mbrojtësi në fjalën përfundimtare tutje ka argumentuar se vepra e falsifikimit të dokumentit zyrtar duhet të kryhet nga personat zyrtarë të cilët urdhërojnë ose e ndryshojnë fletëparaqitjen e kundërvajtjes.

“Në këtë drejtim nuk është plotësuar elementi qenësor i kësaj vepre penale nga ana e Zyber Susurit, pasi po ta kishim ndryshuar dokumentin zyrtar të Vllaznimit dhe Dritonit po ti kishin ndryshuar elementet do të kishim vepër penale të falsifikimit”, përfundoi avokati.

Shpallja lidhur me këtë rast u caktua për më 29 qershor 2022.

Prokuroria në Prizren, me aktakuzën e datës 28 tetor 2021, komandantin e nënstacionit policor të Zhurit po e ngarkon për veprën penale falsifikim i dokumentit.

Ziber Susuri akuzohet se si person zyrtar ka ndërhyrë në fletëparaqitjen për kundërvajtje të lëshuar nga dy zyrtarë policorë ndaj një qytetareje sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje dhe të njëjtës i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 200 eurove, i ishte marrë patentë shoferi për tre muaj dhe i ishte shqiptuar një pikë negative.

Organi i akuzës gjithashtu thotë se në këtë fletëparaqitje Susuri ka shënuar të dhëna të rreme ku tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse për marrjen e patentë-shoferit dhe pikën negative duke fshirë me laps kimik.

I njëjti ka vënë nënshkrimin e tij tek “nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe ka shënuar numrin e ID-së së tij.

Me këto veprime, i pandehuri Ziber Susuri akuzohet se ka kryer veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar.