Konferenca e Levizjes Fol, foto KALLXO

Kërkohet deklarimi i pasurisë nga të gjithë zyrtarët e prokurimit publik

Lëvizja fol ka bërë sot publikimin e edicionit të dytë për transparencën në shpenzime publike. Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se në bazë të gjetjeve të raportit,  ligji për çasje në dokumente publike nuk ofron transparencë aktive, pasi që procedura për të pasur çasje në dokumente publike vazhdon të marr kohë me muaj, ligji për shoqëritë tregtare nuk është ndryshuar akoma, në Agjencinë Kundër Korrupsion deklarimet e pasurisë publike bëhen vetëm nga udhëheqësit e prokurimit, por jo edhe nga zyrtarët e tjerë.

“Është mirë që sa më shumë produkte të shtohen në listën e prokurimit sepse zvogëlon mundësitë për korrupsion. Të gjithë zyrtarët e prokurimit publik janë të cenueshëm ndaj korrupsionit dhe do të duhej të deklaronin pasurinë”, tha Zulfaj.

Në këtë raport, Lëvizja FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të prokurimit në Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Osman Bytyqi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, tha se këto të gjetura do të adresohen.

“Do të ndryshohet ligji dhe do të insistohet që kontratat shumë shpejtë të bëhen publike”, u shpreh Bytyqi.

Ndërsa, Agim Sheqiri nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, nuk u pajtua me të gjeturat e raportit.

“Është sfidë për Kosovën fusha e prokurimit publik. Analizat e juaja duhet me qenë shumë të arsyeshme. Mediat duhet të raportojnë drejt, nuk është gjithë fajtor zyrtari i prokurimit” u shpreh Sheqiri.

Në fund të këtij raporti Lëvizja FOL ka rekomanduar që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të publikojë në ueb-faqen e tij të gjitha kontratat dhe informatat rreth kontratave, kriteret e përzgjedhjes, të publikoj  ofertat në format të lexueshëm.

Në rekomandimet e raportit thuhet se ARBK duhet t’i publikoj të dhënat e plota të bizneseve, historinë e plotë të ndërhyrjeve ligjore dhe të gjitha të dhënat e pronarëve përfitues.

Lëvizja FOL poashtu, ka kërkuar që të rishikohen dhe të ndryshohen ligje për çasje në dokumente publike, prokurim publik dhe shoqëritë tregtare.

Në rekomandimet e raportit thuhet se Avokati i Popullit duhet të krijojë një zyrë të veçantë që të mbikëqyrë prokurimin publik, të ofroj këshilla në proces dhe të shërbej si organ alternativ për zgjidhje të mosmarrëveshjeve.