Kërkohen sqarime nga Gërvalla, për ‘hyrjen e dhunshme’ në zyret e zyrtarëve të kësaj ministrie

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, është duke raportuar në Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me reformën dhe agjendën legjislative të kësaj ministrie.

Gjatë këtij raportimi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi ka kërkuar sqarime nga ministrja Donika Gërvalla lidhur me pretendimet që zyrtarët e MPJD-së kanë hyrë dhunshëm në zyrat Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Ministrja Gërvalla tha se nuk ka pasur hyrje të dhunshme por që është dashur të hapet zyra pasi që ajo zyrë është nevojitur edhe për zyrtarë të tjerë.

“Hyrje të dhunshme në zyrat e nëpunësve nuk ka pasur. Është një rast kur është hapur zyra e një zyrtari që ka marrë pushim pa pagesë, gjë që është shumë normale. Për shkak se zyra nevojitet për zyrtarë të tjerë. Do të rekomandoja të shikoje se si rregullohet puna e zyrave. Ajo nuk është zyrë private, është zyrë që është dhënë në shfrytëzim”- tha Gërvalla.

Lidhur me këtë ka folur edhe këshilltari i përgjithshëm i ministres Behar Isma.

“Rastin për të cilin po i referoheni, zyrtarit i është kërkuar me hapë zyrën por nuk është paraqit. Ai ka pretendu që ka gjera personale që nuk është vërtetë. Nuk është zyre e zyrtarit është e institucionit”- shtoi Isma.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Gazmend Gjyshinca ka kërkuar sqarime se cilës bazë ligjore i referohet këshilltari Isma.

Isma është përgjigjur duke thënë se zyra i është dhënë në shfrytëzim dhe ajo i përket institucionit.

Në shtator të këtij viti Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) përmes një postimi ka pretenduar se menaxhmenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku duke e ndërruar cilindrin e derës.

Me këtë veprim është thënë se Malokut i është pamundësuar qasja në zyrën e tij, në arkivin, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017.

“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale z. Agron Maloku” –  thuhej në njoftim.

Kjo është cilësuar nga ana e SHSASHJ-së si cenim i së drejtës për organizim sindikal brenda MPJD-së.

“Këto veprime sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe imunitetit sindikal” – është thënë në njoftim.

Pretendohet që menaxhmenti i MPJ-së ka ndërruar cilindrin e derës së zyrës së Agron Malokut duke ia pamundësuar qasjen e tij në zyre