Perparim Rama, Donjeta Sahatciu, Alban Zogaj/Facebook

Kërkesat e qytetarëve e gastronomëve për rregulloren e re lidhur me orarin dhe zhurmën nga lokalet

Komuna e Prishtinës ka hartuar një draft rregullore që do përcaktojë orarin në lokalet e gastronomisë si dhe nivelin e zhurmës përmes vendosjes së matësve.

Lidhur me këtë draft rregullore komuna ka organizuar diskutime publike me qytetarë dhe përfaqësues të gastronomisë.

Çfarë parasheh draft- rregullorja

Sipas projekt rregullores, orari i punës përcaktohet në bazë të llogaritjes verore dhe dimërore, në intervale kohore: periudha verore fillon më 1 prill dhe mbaron më 30 shtator; periudha dimërore fillon më 1 tetor dhe mbaron më 31 mars.

Orari i punës në kafene dhe restaurane, pavarësisht zonës, duhet të jetë brenda kornizave kohore: periudha verore, prej orës 06:00 – 24:00; periudha dimërore, prej orës 07:00 – 24:00.

Në këtë projekt rregullore theksohet se pavarësisht orarit, Kryetari i Kryeqytetit me vendim të veçantë mund të lejojë zgjatjen e orarit edhe për 2 orë shtesë gjatë periudhës 15 korrik – 15 gusht. 

Orari i punës në klube të natës duhet të jetë brenda kornizave kohore, sipas zonave të caktuara: periudha verore, në zonë urbane prej orës 24:00–03:00 dhe në zonë industriale dhe rurale prej orës 24:00–05:00; Periudha dimërore, në zonë urbane prej orës 23:00–02:00 dhe në zonë industriale dhe rurale prej orës 23:00-04:00.

Në këtë projekt rregullore tutje theksohet se, pronarët e lokaleve janë të obliguar që të lejojnë montimin e pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës në hapësirat e subjektit të tyre afarist dhe nuk guxojnë t’i dëmtojnë apo të marrin veprime të cilat pengojnë këto pajisje që të bëjnë matjen e nivelit të zhurmës.

Pajisja për matjen e zhurmës monitorohet nga një sistem softueri, të dhënat e të cilit mbeten pronë  e Kryeqytetit.

Softueri duhet të përmbajë dhe t’i ofrojë të dhënat si në vijim: Nivelin e tejkaluar të zhurmës në lokalin përkatës; datën dhe kohën e tejkalimit të nivelit të zhurmës; dhe vendin dhe të dhënat e pronarit të lokalit.

Sipas projekt rregullores, Softueri duhet të ruaj në kohë reale te dhënat dhe në kohë reale të njoftoj pronarin e lokalit afarist për tejkalimin e zhurmës.

 Ankesat dhe kërkesat e qytetarëve

Më 22 nëntor Komuna organizoi debatin me qytetarë lidhur me këtë draft rregullore, ku ankesat me të mëdha vinin nga banorë të zonës qendër dhe atyre të lagjes Mati, kryesisht Rruga B.

Agim Musliu, qytetar i zonës qendër tha se në kohën e pandemisë janë ndërtuar shumë lokale. Ai madje nuk u pajtua as me nivelin e decibelëve të përcaktuara për lokalet në këtë zonë.

“Problemi është se në kohë të pandemisë ndërtoheshin qindra lokale, në bashkëpunim me qeverinë e kaluar. Shpendi ka qenë Covidi i Prishtinës. Zhurma 65 decibel është sa një veturë kur kalon me shpejtësi të madhe, kjo është shumë”- u shpreh ai.

Lans Johnson qytetar po ashtu i zonës qendër tha se kafe/baret në këtë zonë janë shndërruar në disko.

Ai kërkoi nga komuna që të mos lejojë lokale me muzikë të llojit Dj në zona vendbanimi.

Johnson potencoi se edhe pas mbylljes së lokaleve përballen me zhurmë nga njerëz që dalin të pirë nga to.

“Kafe-baret janë kthyer në diskoteka, dridhen dritaret nga zhurma, kam një fjalë 6 vjec që shkon në shkollë. Familja ime përballet me zhurmë edhe nga terrasat. Pajtohem me decibët janë në vijë me ato të BE-se. Nuk duhet të kemi DJ në zona vendbanimi. Edhe kur mbyllen lokalet nuk mund të imagjinoni zhurmën nga njerëzit e pirë nëper rrugë”- shtoi ai.

Naser Gashi, qytetar nga lagjia ‘Bregu i Diellit’ tha se nëse ka muzik në zona rezidenciale, duhet të ketë kushte specifike të izolimit.

“Te Kodra e Diellit  dhe Rruga B organizohet muzik, ka muzik në vendbanime duhet të kenë kushte specifike izolimi, të ketë kushte të veçanta në vende banimi ose të shkojnë në zona industriale”- tha ai.

Kurse, Dren Shahini që është përfaqësues i banorëve të lagjes Mati 1 nuk u pajtua me orarin e gjatë të punës së lokaleve.

“Do doja të kishte parametra prej vendeve të rajonit për ta parë si e kanë të rregulluar pasi ne nuk kemi hartë strategjike të zhurmës. Ndryshimi i orarit të punës deri në 24 i lë kohë për gjumë 6 orë një qytetari, pasi nuk mund të flesh nëse nuk mbyllen lokalet. Pastaj edhe këto dy orët shtesë gjatë verës”- tha ai.

Lidhur me orarin e punës dhe shtimin e dy orëve shtesë gjatë verës me leje të kryetarit u kundërshtua edhe nga Ardian Selani, ai tha se kjo leje nuk duhet të ekzistojë.

“Zhurma për ne në qendër është problemi numër një, zgjatja e orarit të punës shkon më dëm të qytetarëve pasi nuk mund të flejmë, nuk duhet të ketë leje speciale. Banesat janë shndërruar në bare e diskoteka, duhet të ketë një standart dhe aktivitetet për zona rezidenciale”- u shpreh ai.

Hana Bajrami, qytetare e lagjes ‘Ulpiana’ u shpreh se vëllai i saj me nevoja të veçanta po përjeton traumë nga niveli i zhurmës në Rrugën B.

“Dy verat e fundit jemi dhunuar nga objekte të gastronomisë. Unë e kam një vëlla me aftësi të kufizuara të cilit ja kemi ble banesen te Rruga B, pasi në Ulpianë nuk ka pas ashensor. Ai për pesë muaj ka qenë i dhunuar nga zhurma e pakontrollueshme, dridhje, mos mundësi t’i hap dritaret. Nuk kam besim ne këto aparate, këtu veq dënimet kryjnë punë”- tha ajo.

Në këtë diskutim publik me qytetarë u bë thirrje që të ketë baraspeshim të qendrimeve të gastronomëve dhe qytetarëve, të mos ketë dallime.

Madje pati qytetarë që kërkuan që në këtë rregullore të futet edhe zhurma që shkaktojnë qytetarët që organizojë dasma në oborre të shtëpisë.

Qytetarët kërkuan po ashtu që në banesat që shndërrohen në lokale të pyeten edhe banorët pasi në shumë raste e gjithë hapësira gjelbëruese po u uzurpohet.

Kërkesat e gastronomëve

Në diskutimin publik me pronar të lokaleve, kërkesat kryesore kanë qenë që të ketë më shumë qartësi në mënyrë si do funksionojnë matësit dhe shqiptimi i gjobave.

Po ashtu u theksua kërkesa që mos të ketë kufizim orari nëse problemi i zhurmës rregullohet përmes matësve.

Arian Vranica, sekretar i Shoqatës së Gastronomëve kërkoi të dijë nëse kjo rregullore është e harmonizuar me ligjin për rendin dhe qetësinë.

“Sa i përket orarit në rregullore si janë bërë pajtueshmëritë me ligjin për rendin dhe qetësinë publike dhe si do bëhet harmonizmi pasi këto të dyja burojnë nga ligje të ndryshme. Gjithashtu, mendojmë që orari për kafene/restorane duhet të jetë njëjtë në dy sezonet sepse nëse rregullohet problemi i zhurmës me matës nuk ka kuptim të ketë orare në ndryshme”- tha ai.

Lidhur me orarin, Vranica propozi të ndahet orari i punës dhe ai i shërbimit.

Po ashtu, ai kërkoi që dy orët shtesë për orarin gjatë 1 muaji të verës me vendim të kryertarit t’i kenë edhe gjatë dimrit nga data 15 dhjetor deri 10 janar pasi varen nga këto fitime.

Vranica po ashtu potencoi që klubet në zonat industriale të kenë kohë më gjatë pasi aty nuk ka banim dhe nuk e shqetësojnë askënd.

Përmes kësaj rregulloreje parashihet që klubet të cilat punojnë pas orës 24, do kenë taksë vjetore mbi 10 mjë euro.

Ilir Haxholli, menaxher në Duplex kërkoi që të taksohen për 125 ditë në vit, pasi kaq e kanë veprimtarinë.

“Taksa paguhet për gjithë vitin, klubet punojnë për 125 ditë, të taksohemi vetëm për këto ditë, pasi 30 euro dita paguhet”- tha ai.

Përfaqësuesi i lokalit Charlie Brown kërkoi që me këtë rregullore të ketë edhe profilizim të aktiviteteve në lokale, pra ato që janë ushqimore apo për të pirë.

Petrit Recica nga ‘Miqt Pub’ tha se si do menaxhohen rastet kur persona që mund të bërtasin apo qeshin me zë të lartë shkakojnë shkelje të decibelëve në matës.

“Si do testohet vetëm muzika, kur nëse dikush qesh më zë të lartë shkakton tejkalim të decibelëve dhe a janë pajisjet të certifikuara me të gjitha standardet. Duam sqarim edhe në autorizimet e inspektorit”- tha ai.

Shpat Hashani nga ‘Babel Caffee’ pyeti zyrtarët komunal nëse në këtë rregullore parashihet edhe fakti që ka lokale shumë afër njëra- tjetrës dhe zhurma e njërit mund të përqohet tek lokali tjetër.

Derisa, Dekor Sahiti pronar i ‘Zone Club’ kërkoi që klubet në zona industriale të mos kenë limit në orar pasi aty nuk ka vendbanime.

Komuna pritet të mbajë edhe një diskutim tjetër publik me Policinë dhe përfaqësues të këshillave lokal.

Në bazë të rekomandimeve dhe ankesave që dalin nga këto diskutime do ketë hapësirë për ndryshime në rregullore, e cila më pas pritet të dal për miratim në seancën e muajit dhjetor të Kuvendit Komunal.