Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti - Foto: REL/MIA

Kërkesa për kryeministër shqiptar mund t’i ngadalësojë bisedimet për koalicion në Maqedoninë e Veriut

Debatet mbi përkatësinë etnike të kryeministrit të ri në masë të gjerë po dyshohet se po i mbajnë pezull bisedimet ndërmjet dy partnerëve kryesorë të qeverisë së fundit për formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Ish-partnerët e koalicionit të fundit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, socialdemokratët (LSDM) e drejtuar nga Zoran Zaev, dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, e Ali Ahmetit, janë përfshirë në bisedime substanciale për formimin e qeverisë së re, në mes të spekulimeve se bisedimet mund të bllokohen për shkak të insistimit te BDI-së për një kryeministër nga etnia shqiptare.

Të dy palët i kanë lënë të nënkuptuara dallimet e tyre, por kanë shmangur përgjigjen nëse kjo mbetet pengesa kryesore.

“Bisedimet dhe konsultimet për një shumicë parlamentare dhe një koalicion që mund të përfundojë një mandat të plotë katërvjeçar qeverisës janë duke vazhduar”, deklaroi të martën zëdhënësi i socialdemokratëve, Kostadin Kostadinov, duke shtuar se “në interes të bisedimeve, në këtë moment ne nuk mund të bëjmë të ditura më shumë detaje”.

Ai përsëriti se partia ështe e bindur që përderisa Zaev kryeson partinë e cila ka fituar shumicën e ulëseve në zgjedhje – 46 sosh- ai do të jetë i nominuari për kryeministër nga presidenti deri në fund të kësaj jave, ashtu siç e përcaktojnë afatet.

Pas takimit me Zaev, kreu i BDI-së Ahmeti, ditën e hënë doli vetëm me një deklaratë të paqartë se, “ne jemi po aq afër dhe po aq larg nga formimi i një qeverie të re”.  Ai gjithashtu nuk zbuloi detaje tjera.  “Ne jemi duke investuar në gjëra të cilat do të shkojnë në një drejtim të duhur … Shpresoj që të gjitha palët të kenë një vullnet të fortë politik në mënyrë që të kapërcejmë dallimet dhe vështirësitë,” shtoi ai.

Spekulimet se bisedimet kanë hasur në një pengesë për shkak të kërkesës së BDI për një kryeministër shqiptar u nxitën nga kreu i partisë së vogël të Aleancës Demokratike, Pavle Trajanov, pjesë e aleancës zgjedhore të Zaevit, të quajtur “Ne Mundemi”.  “BDI pati një fushatë të mirë me frazën”Kryeministri shqiptar “, dhe ata po insistojnë në atë me çdo kusht”, tha Trajanov  për TV Kanal 5 këtë javë.

Në zgjedhjet e fundit, BDI ruajti vendin e saj si partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke këmbëngulur për një kryeministër shqiptar, me veteranin politik Naser Zyberi. Ai do të ishte kryeministri i parë shqiptar i shtetit shumetnik, në të cilin shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.

Sipas disa spekulimeve të pakonfirmuara, BDI tani kërkon një kryeministër shqiptar për, të paktën, një vit gjatë mandatit katërvjeçar qeverisës, qoftë në fillim ose në fund të mandatit të tij.

Në rast se socialdemokratët, me 46 nga 120 ulëset në Parlament, dhe BDI, me 15 ulëse, do të arrijnë një marrëveshje, ata do të kontrollonin një shumicë prej 61 ulësesh, duke ia humbur shansin teorik të partisë opozitare VMRO- DPMNE për të formuar shumicën e saj parlamentare.

LSDM dhe BDI ishin shtyllat kryesore të qeverisë së fundit të zgjedhur në mes të vitit 2017, qeveri kjo e cila qeverisi me Maqedoninë e Veriut deri në fillimin e këtij viti. Të dy partitë ishin pjesë e kabinetit qeverisës në detyrë e zgjedhur në fillim të vitit 2020 për t’i kryer zgjedhjet e parakohshme.

Pasi VMRO-DPMNE, e cila javën e kaluar tha se ishte gjithashtu në bisedime me BDI, këtë javë kreu i partisë Hristijan Mickoski tha se një gjë e tillë nuk qëndron edhe më tutje.

Tryeza e bisedimeve shqiptare e pasigurt

Ndërkohë që bisedimet po vazhdojnë, BDI këtë javë bëri thirrje gjithashtu për një takim të të gjitha partive shqiptare, për të enjten.

Duke mos dhënë detaje specifike për ato që do të donin të diskutojnë, hapi i radhës bëhet pasi partia më parë bëri thirrje për një marrëveshje gjithëshqiptare në Maqedoninë e Veriut, sipas së cilës, BDI, si partia më e madhe shqiptare, do ta kishte të drejtën ekskluzive midis tyre për t’i udhëhequr bisedimet për formimin e qeverisë.

Ky propozim u kundërshtua nga rivalët e saj, partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, të cilët së bashku me partnerët e tyre nga partia Alternativa, fituan 12 ulëse, e po ashtu edhe nga partitë e tjera më të vogla shqiptare.

Takimi i propozuar ende mbetet pezull për shkak se Aleanca për Shqiptarët dhe partitë e tjera ende nuk e kanë konfirmuar praninë e tyre.

Zaev ka deklaruar se e konsideron takimin e planifikuar si një formë të “presionit të BDI-së” mbi të, dhe duke dyshuar se BDI ka në plan të përdorë atë  presion për të forcuar argumentet e saj për një kryeministër shqiptar.

Ora ka nisur të ecë së prapthi për qeverinë e re më 4 gusht me seancën konstituive të Parlamentit të ri. Zgjedhja e një kryeparlamentari të ri do të duhet të presë derisa njëra ose palë tjera të krijojnë një shumicë parlamentare.

Sipas afatit ligjor, deri të premten, presidenti Stevo Pendarovski, do të duhej t’i jipte mandatin një kryeministri të nominuar. Ai pastaj do të ketë 20 ditë afat për ta formuar një shumicë qeverisëse, që do të thotë, më së voni, deri në fillim të shtatorit, përpara se të paraqesë platformën e tij  për miratim në Parlament. (balkaninsight.com)