Kërkesa e Britanisë së Madhe që krahas Ukrainës, edhe Ballkani Perëndimor të ketë “mbështetjen për mbrojtje nga Rusia” – flasin njohësit e sigurisë

Ditë më parë sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se krahas Ukrainës, vëmendje rreth kapaciteteve ushtarake duhet kushtuar edhe Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm. E për njohësit e sigurisë kërkesa e Britanisë së Madhe nuk është rastësi pasi nuk dëshiron një “Ukrainë të dytë”, në Ballkan.

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë sulm i drejtpërdrejt, por vetëm nga tentimet për destabilizim të situatës.

Analisti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deklarata e sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe nuk është rastësi, pasi siç tha ai vendet e Ballkanit duhet të armatosen dhe të jenë të përgatitura.

“Deklarata se përveç Ukrainës duhet të armatoset edhe Ballkani nuk është rastësi. Kemi vërejt gjatë luftës në Ukrainë se Anglia ka qenë ndër vendet më të zëshme. Britania ka luajt një rol të rëndësishëm qoftë në rrafshin diplomatik, qoftë në atë ushtarak duke e ndihmu Ukrainën. Vendet e Ballkanit duhet të armatosen dhe të jenë të përgatitura. Nuk është rastësi pasi vendet e kanë neglizhuar çështjen e Ukrainës e nuk duan që të zihen në befasi”, ka thënë Islami.

Tutje ai shtoi se “po ta kishin armatosur me kohë Ukrainën forcat në terren e kishin përcaktuar me kohë gjendjen politike dhe strategjike në një formë tjetër dhe nuk do të vinte deri te një shkatërrim aq i madh”.

Islami u shpreh se qeveria britanike nuk do që të ndodhë dhe një Ukrainë e dytë në vendet e Ballkanit.

“Mendoj që pavarësisht kësaj nuk mund të tërheqim paralele të Ukrainës me vendet e Ballkanit, pasi i vetmi vend që mund t’i rrezikoj vendet fqinje është Serbia, e cila është e armatosur kohët e fundit nga Rusia dhe Kina. Duke pas parasysh forcën ushtarake dhe arsenalin, e vetmja që mund të filloj një aventurë është Serbia dhe këtë nuk e besoj”, theksoi ai.

Mirëpo, a mund të jetë e rrezikuar Kosova nga ndonjë sulm i mundshëm, Islami tha: “Pozita e Kosovës nuk është njëjtë si ajo e Ukrainës, pasi Kosova është e rrethuar nga vendet pro Aleancës Veri-Atlantike”.

Ndërkaq, Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) tha për Telegrafin se qëllimi i Rusisë është që të shkaktojë konflikte në vende dhe rajone të ndryshme ku sfidohet roli i perëndimit.

“Secili shtet i Ballkanit Perëndimor, qoftë apo jo anëtar i NATO-s dhe që e kundërshton ofensivën ushtarake në Ukrainë dhe qëllimin e Rusisë në Ukrainë, është armik i vet Rusisë. Qëllimi i Rusisë është që të shkaktoj konflikte në vende dhe rajone të ndryshme ku sfidohet roli i perëndimit, ku sfidohet sistemi demokratik dhe ku sfidohet liria, pavarësia dhe sovraniteti i vendeve në këtë rast as Ballkani Perëndimor, as shtetet si Gjeorgjia, Moldavia apo vendet tjera nuk përbëjnë përjashtim. Kështu që po, qëllimi i Rusisë është që të ketë sa më shumë konflikte, qëllimi i Rusisë është që sa më shumë të pengohet roli i perëndimit dhe proceset euro atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nëse ka hapësirë në rastet siç është veriu i Kosovës, situata në Bosnje Hercegovina apo situata në vende tjera ku ka çështje të hapura të sovranitetit edhe përplasje të vendeve atëherë tentojnë të krijojnë situata të pasigurisë për të hapur një konflikt”, tha ai.

Sipas tij, Kosova është e kufizuar me shtetet që janë anëtare të NATO-s dhe nuk do të ketë sulm direkt.

Por siç tha Perteshi institucionet e sigurisë në vend duhet të jenë vigjilent se mund të ketë tentativa për dezinforimim të opinionit, apo tentime për destabilizim të situatës, etj.

“Shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë pjesë anëtare të NATO-s, e kemi Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë dhe Kosova është e kufizuar nga shtetet anëtare të NATO-s dhe nuk kemi sulm direkt. Mirëpo, ajo që mund të shohim është ndonjë tentim të dezinformimit, tentim për destabilizim të situatës në veri, po ashtu ndonjë tentim për të diskutuar rendin juridik e ligjor të Kushtetutës së Kosovës. Këtu e shoh rrezikun më të madh dhe këtu e shoh fokusin e institucioneve të sigurisë së Kosovës i cili duhet të jetë vigjilent”, tha ai.

Sipas tij, e para institucionet e shtetit duhet të jenë vigjilent dhe të mos i kontribuojnë situatës aktuale të sigurisë ose destabilizimit me veprimet e tyre. “E dyta që të sigurohen lëvizjet, qëllimet, apo planet që mund të kryejnë grupet e organizuar apo jo të organizuar qoftë ruse apo serbe në Kosovës. Kështu që këtë e shoh rrezikun permanent ose më të madh të sigurisë së Kosovës”.

E nëse duhet të armatoset Kosova për tu përballur në rast të ndonjë rreziku të sulmeve ruse apo serbe Perteshi tha: “Kosova duhet të armatoset deri në atë nivel sa të jetë në gjendje ta mbroj sovranitetin dhe sigurinë dhe gjithë këto të bëhen në koordinim me partnerët ndërkombëtar dhe me misionin e NATO-s në Kosovë”. /Telegrafi