Kërcënoi borxhliun për arra, burgim me kusht pensionistit invalidor
Një borxh për arra bëri që pensionisti-invalidor nga Malisheva ta kërcënonte viktimën. Të akuzuarit B. B. gjykata në nëntor 2022 i kishte shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 50 ditësh.
“Po të betohem në të madhin Zot, që s`ki me m`i hëngër, se me mua u more vesh, ti veprove plaçkash” , “Nuk ke shti therë në këmbë të shëndoshë, por ke shti gozhdë”, “I kam gjashtë vëllezër”.
Këto ishin fjalët me të cilat i akuzuari B.B. nga Malisheva iu kanos bashkëvendësit pasi që ky i fundit nuk i pagoi borxhin për arra, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë.
Dosja e gjykatës tutje sqaron se në pasditen e 31 gushtit të vitit 2020, për shkak të një mosmarrëveshje për blerjen e arrave, i akuzuari B.B. përmes mesazheve telefonike kishte kanosur borxhliun, me ç ‘rast ka shkaktar frikë e ankth tek ky i fundit.
Pranimin e fajësisë, gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, kushtet ekonomike dhe se ishte i padënuar më parë, Gjykata i ka marrë si rrethana lehtësuese më rastin e shqiptimit të dënimit ndaj tij.
Kodi penal përcakton se kushdo që kanos personin tjetër me fjalë me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit dënohet me burgim deri në 6 muaj.