Shkodran Nikçi
Kërcënohet zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, është kërcënuar.
Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili ka dënuar këtë kërcënim.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënon kërcënimin që i është bërë Zyrtarit të Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçit” – thuhet në njoftim.
Tutje, sipas njoftimit, kërcënimi vjen si rrjedhojë e prononcimeve gjatë punës së tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku të përfshirë ishin edhe shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu theksohet se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe autoritetet shqiptare do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe do ta trajtojnë me seriozitet të lartë këtë çështje, në mënyrë që kërcënuesi të përgjigjet sa më parë para drejtësisë.
Për rastin e rrahjes në diskotekë në Pejë, Policia e Shqipërisë më 07.08.2024 ka njoftuar se ka arrestuar në Shqipëri dy personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se dy personat e arrestuar janë Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari.
Dy të arrestuarit u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – lëndim i rëndë trupor.
Për po të njëjtin rast në kërkim të Policisë së Kosovës është shpallur edhe Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.
Lushaj, sipas Policisë së Kosovës, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale lëndim i rëndë trupor.