Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, Foto: KALLXO.com
Kërcënohet u.d. kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë dënuar një kërcënim tjetër të bërë gjatë ditës së sotme (11.10.2024) përmes rrjeteve sociale ndaj u.d. kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu dhe ndaj organeve të sigurisë.
“KPK dhe ZKPSH dënojnë ashpër edhe një kërcënim tjetër që është bërë gjatë ditës së sotme përmes rrjeteve sociale ndaj U.D. Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu dhe ndaj organeve të sigurisë. Edhe ky kërcënim ka ardhur për shkak të punëve zyrtare që kryejnë këto organe, përfshirë edhe z. Kryeziu në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të kësaj prokurorie”- thuhet në një njoftim për media të KPK-së.
Sipas njoftimit, KPK dhe ZKPSH deklarojnë se këto kërcënime janë të drejtuara edhe ndaj organeve të Policisë së Kosovës dhe organeve të ndjekjes dhe përmbajnë edhe ngjyrime dhe emërtime të individëve dhe organizata kriminale dhe duken qartazi se qëllimi i tyre është ndërhyrja në punët e Prokurorit të Shtetit dhe organeve të sigurisë së vendit.
Po sipas njoftimit, KPK dhe ZKPSH ua bëjnë me dije individëve të tillë se përkrahin fuqishëm Kryeziun dhe organet e sigurisë, si dhe i mbështesin plotësisht në punën e misionin e tyre për ndjekjen dhe hetimin e kryeseve të veprave penale.
“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera janë të angazhuar për të bërë identifikimin dhe arrestimin e kërcënuesve të U.D. Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu dhe përfaqësuesve të organeve të sigurisë dhe nuk do të ndalen deri në ndriçimin e plotë të këtij rasti”- thuhet në njoftim.
Me këtë rast, thuhet më tej në njoftim, se kërcënimet e tilla (për të dytën herë gjatë ditës) nuk do të zmbrapsin përkushtimin, synimet dhe përpjekjet e pandalshme të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë.