Kërcënohet gazetarja e KALLXO.com

Gazetarja e KALLXO.com  në rajonin e Gjakovës është kërcënuar të enjten në kohën kur po monitoronte një rast të fajdesë në Gjykatën e Gjakovës.

Para shpalljes së aktgjykimit në rastin ku Sylë Shala po akuzohet për fajde, i njëjti ka kërkuar nga mediat e pranishme që të mos fotografojnë dhe të shkruajnë me iniciale, përkundër që një gjë e tillë nuk është kërkuar nga Gjykata.

Si rrjedhojë, pasi që monitoruesja e KALLXO.com ka vazhduar me kryerjen e detyrave të saj, njëri nga shoqëruesit e të akuzuarit i është drejtuar monitoruesve  me fjalët “nëse kta dojn me pas jetën e lumtur mos t ‘fotografojnë”, duke kërcënuar qartazi dhe duke tentuar të pengojë punën e monitorueses.

Si rrjedhojë, monitoruesja e KALLXO.com e ka raportuar rastin në Policinë e Gjakovës e cila ka mbajtur një shënim zyrtar.

 

Dy organizatat themeluese të KALLXO.com InternewsKosova dhe BIRN Kosova, duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë rast, kërkojnë hetimin e shpejtë të këtij rasti nga përgjegjësit në Gjakovë.

Gjithashtu, kërkojmë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, që të krijojë kushtet e nevojshme për punë të monitoruesve ashtu që monitorimi të kryhet i papenguar dhe i pa kushtëzuar nga palët në procedurë apo kushdo tjetër brenda objektit të Gjykatës.

Po ashtu, kërkojmë nga përgjegjësit e sigurisë në Gjykatën Themelore të Gjakovës që të mundësojnë ambient të siguritë dhe të papenguar për monitoruesit me qëllim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, monitorimin e sistemit të drejtësisë dhe informimin e publikut në lidhje me menaxhimin e drejtësisë.