Kërcënohet me jetë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Arben Fetai

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Qeverisje të Mirë Arben Fetai, ka njoftuar në rrjete sociale se është kërcënuar me vdekje.

Fetai thotë se kërcënimin “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI”, e mori në email-in zyrtar.

Kjo sipas tij pas një deklarate mbi mënjanimin e përkufizimit ’20 përqind’ për gjuhën shqipe.

‘Sot, në ora 11:00, në Stacionin Policor Qendër (1), kam raportuar se kam marrë një kërcënim me vdekje në emailin tim zyrtar, i cili përmbante mesazhin “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI”, pas një deklarate mbi mënjanimin e përkufizimit “20 për qind” për gjuhën shqipe’ – ka shkruar mes tjerash Fetai.

Tutje ai thotë se u bën thirrje organeve që të identifikojnë autorin e kërcënimit.

Fetai kërkon që kërcënuesi të përballet me pasojat ligjore.

‘Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes nuk do t’i lejojmë të kalojnë. U bëj thirrje organeve të rendit që të identifikojnë menjëherë autorin e këtij kërcënimi. Kërcënuesit dhe ekstremistët qyqarë duhet të përballen me pasojat e ligjit: dënim me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet’ – shkruan tutje ai.