Kërcënohet familja e Behgjet Pacollit, këshilltari i tij thotë se është arrestuar një i dyshuar

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se është kërcënuar familja dhe fëmijët e tij.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka njoftuar se do të përdorë të gjithë instrumentet ligjore që të ndjekë personat të cilët kanë shqetësuar familjen e tij.

“Familja është vlera më e madhe e shoqërisë. Fëmijët janë të shenjtë për secilin prej nesh andaj t’u japim dashuri sa më shumë që mundemi. Shoqëria jonë duhet të ketë kujdes dhe të mos tejkalojë limitet e respektit ndaj familjes e veqanërisht ndaj fëmijëve. Nga ana tjetër unë asnjëherë askënd që mllefin e tij personal ta shpreh duke më kërcënuar familjen, e fëmijët e mi. Do përdori të gjithë instrumentet ligjorë që ti ndjek këta persona duke shpresuar që në këtë mënyrë i kontribuoj tërë shoqërisë e cila është e ngopur me dhunë, kërcënime e frikësime”, thuhet në postimin e Pacollit.

Në anën tjetër këshilltari i Pacollit, Naim Murseli ka thënë se personi i cili ka kërcënuar Pacollin është arrestuar mbrëmë në orët e vona.

Sipas njoftimit të Murselit një person i cili ka pretenduar të jetë edhe prokuror ka kërcënuar fëmijët e Pacollit gjithashtu i ka kërkuar edhe para.

“Personi ka pretenduar të jetë edhe prokuror i Kosovës. Ai ka kërcënuar po ashtu me arrestim të z. Pacolli. E.H ka kërkuar në internet shkollën e fëmijëve, e cila është shkollë publike, të z. Pacolli dhe ka kërcënuar atë se do t’i rrëmbejë dhe do t’i djeg ata për së gjalli. Z. Pacolli është shumë i tronditur dhe i mërzitur emocionalisht nga kërcënimët e bëra”, thuhet në njoftimin e Murselit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AKR, Behgjet Pacolli, ditë më parë ka arritur në Kosovë pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe institucioneve të Kosovës.

Pacolli me të arritur në Kosovë ka dhënë një deklaratë për media, ku ka deklaruar se do t’u nënshtrohet të gjitha rregullave sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai tutje ka thënë se nuk do të kërkojë trajtim të veçantë ndonëse tha se ka qëndruar dy muaj në vetizolim në Zvicër dhe tashmë ka rezultuar negativ në testin për COVID-19 në ditën kur kishte planifikuar të vinte në Kosovë.