Kërcënimi i qytetarit nga një polic, IPK fillon hetimet

Pas publikimit të një videoincizimi në media, ku dëgjohet një zyrtar policor duke i thënë një qytetarit “O krejt kena me të mytë”, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka filluar një hetim paraprak.

Sipas një përgjigje të dhënë për KALLXO.com, IPK ka thënë se hetimi në fjalë ka filluar nga hetuesit sipas detyrës zyrtare.

“Ju konfirmojmë se pas publikimit të videoincizimit në medie, hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare kanë filluar një hetim paraprak” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Edhe Policia e Kosovës ka lëshuar njoftim për rastin. Në raportin 24 orësh të Policisë është thënë se personi që ishte kërcënuar nga zyrtari policor, fillimisht i kishte ikur policisë.

Personi i kërcënuar është thënë në njoftim se është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë nuk i ishte ndalur zyrtarëve policor dhe i njëjti me motoçikletë gjatë ikjes është aksidentuar” – ka thënë Policia.

Rasti i iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” është thënë se ka ndodhur në rrugën Fahri Fazliu në Prishtinë, rreth orës 22:29.