Kërcënime për bomba në shkollat e veriut, Policia: Jemi duke i evakuuar nxënësit dhe punonjësit

Alarm për bombë ka pasur sot në mëngjes në shkollat e katër komunave veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Bane Radoviq, ka deklaruar se emaile-t për bombat kanë ardhur pothuajse në të gjitha shkollat në veri.

Ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është duke i evakuuar nxënësit dhe punonjësit.

“Po, kanë ardhur e-maila për kërcënime me bomba pothuajse për të gjithë shkollat në veri të Kosovës. Policia e Kosovës është duke i evakuuar nxënësit dhe punonjësit dhe po i siguron vendet. Deri në ardhjen e ekipeve të deminimit nga Prishtina dhe KFOR-i”, ka deklaruar Radoviq.

Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, alarm për bombë ka pasur edhe në disa shkolla në rajonin e Gjilanit.

Ky alarm është dërguar në adresë të shkollave në Novobërdë, Kamenicë e Ranillug, përmes email-it.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin.

“Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranu informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut , se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba ( mjet shpërthyes)”.

“Për momentin nuk ka vend për panik. Policia e Kosovës dhe njësitet e IEDD kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe janë duke i hetuar rastet veç e veç”, ka deklaruar Hashani. /Telegrafi/