Kërcënim me bombë, mbyllet përkohësisht Aeroporti - Pamje

Për shkak të kërcënimit me bombë, është mbyllur përkohësisht Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

Policia e Kosovës njofton se në orët e paradites kanë pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, Policia në bashkëpunim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin.

“Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”- thuhet në komunikatë.

Policia thotë se do informojnë në vazhdim lidhur me zhvillimet e mëtejme deri në hapjen e aeroportit për qarkullim.

Lajmin për kërcënim me bombë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara e cila tha se udhëtarët dhe personeli janë evakuuar.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt”- tha Gara në një përgjigje për KALLXO.com.

Gara më tej tha se ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre.

Kërcënim me bombë në Aeroportin Adem Jashari – Pamje