Keqpërdorimet në subvencione – Arrestohet asamblisti i LVV-së në Suharekë

Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Suharekës është njëri nga 11 të arrestuarit, gjatë aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, për keqpërdorime të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 3 nga të arrestuarit janë zyrtarë dhe 8 të tjerë të dyshuar janë përfitues subvencionesh, të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Fandaj është njëri nga të arrestuarit.

Në lidhje me këtë, udhëheqësi i Qendrës së VV-së në Suharekë, Salih Zyba, nuk ka pranuar ta komentojë rastin, duke thënë se nuk ka kompetencë.

“Edhe unë informatën e kam marrë nga mediat, nuk mundem me të dhënë ndonjë sqarim. Informata është në publik, nuk kam koment sepse nuk komentoj diçka që nuk është kompetencë e imja. Përveç që është asamblist në Suharekë, nuk ka të bëjë me anën zyrtare dhe nuk ka të bëjë me përfaqësimin tonë politik”, tha Zyba përmes telefonit.

Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ende nuk ka kthyer përgjigje.

Në ndërkohë, sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Arrestohen edhe 11 të dyshuar për keqpërdorime me subvencione