Ilustrim

“Keni me pa se kush jemi ne”, fjalët kërcënuese drejtuar policëve në Malishevë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Malishevë pasi të njëjtit nuk kishin respektuar urdhrin e policisë për ndalje dhe po ashtu kishin ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët policorë.

Sot rreth orës 14:00, derisa patrulla e policisë ishte në pikë kontrolli të automjeteve në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, aty kishin kaluar dy persona me veturën e tyre “Mercedes”.

Nga ana e zyrtarëve policorë i ishte dhënë shenjë që kjo veturë të ndalet por përkundër shenjës së dhënë i dyshuari nuk kishte përfillur urdhrat e ligjshëm të zyrtarit policor por kishte filluar të rris shpejtësinë dhe ishte larguar nga aty.

Me pas patrulla e policisë i ishte vënë pas kësaj veture. Pasi i ishin ofruar në një distancë afër saj edhe e kishin sinjalizuar që të ndalej por nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Të dyshuarit kishin vazhduar rrugën deri tek shtëpia e tyre në Malishevë.

Kur kishin arritur në hyrje të oborrit të dyshuarit kishin tentuar që të hynin brenda në shtëpi edhe pse ishin paralajmëruar nga zyrtarët policorë që të ndalen.

Pas kësaj të dyshuarit ishin arrestuar nga ana e zyrtarëve policorë e që gjatë arrestimit edhe kishin shfaqur rezistencë. Gjatë arrestimit të dyshuarit në vazhdimësi i kishin fyer zyrtarët policorë me fjalë fyese si dhe i kishin kërcënuar me fjalët “keni me pa ju se kush jemi ne, për këtë punë keni me pas punë privatisht me neve”.

Këto fjalë kërcënuese kishin ardhur nga dy të dyshuarit në drejtim të zyrtarëve policorë.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar lidhur me veprimet e tyre. Të njëjtit i kanë pranuar këto veprime. Sipas tyre arsyeja e mosndaljes në pikë kontrolli ka qenë sepse ata nuk posedonin patent-shofer dhe nga frika kishin vepruar në atë mënyrë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të tij dy të dyshuarit janë ndalur në mbajtje për 48 orë.