Këngëtarja Fjolla Morina lihet në arrest shtëpiak, e detyruar të jetojë në Kukës

Gjykata e Kukësit ka vendosur që ta lë në arrest shtëpiak këngëtaren kosovare Fjolla Morina, e cila ditë më parë u kap nga Policia shqiptare duke kaluar pikën kufitare me armë zjarri në çantë, raporton Top Channel.

Në orën 13:00, Morina arriti për herë të dytë në Gjykatën e Kukësit, pasi gjatë seancës së parë të zhvilluar në mëngjes ajo kishte deklaruar se është shtatzënë dhe ka kërkuar që të lihet në arrest shtëpie.

Mësohet se në gjykatë këngëtarja e arrestuar disa ditë më parë kishte thënë se ishte shtatzënë. Në seancën e parë të mbajtur paradite gjykata kërkoi të dhëna në lidhje me gjendjen shëndetësore të Morinës dhe më pas asaj i është kyer një vizitë për të vërtetuar nëse është shtatzënë apo jo.

Avokatja e këngëtares kërkoi që klientja e saj të mos lihet në burg.

Në gjyq ishin edhe dy shoqëruesit që kishin me të në makinë, biznesmeni 29-vjeçar nga Gjilani, Fisnik Syla dhe shoferi Fitim Muji.

Në fund gjykata vendosi për arrest shtëpiak për këngëtaren, e cila është e detyruar të jetojë në qytetin e Kukësit në një shtëpi me qera deri në përfundimin e hetimit dhe daljen e saj në gjyq për armëmbajtje pa leje.

Fjolla Morina u kap tre ditë më parë në pikën e kalimit kufitar në Morinë me një pistoletë dhe municione në çantën e saj.