Këngëtari amerikan R Kelly

Këngëtari amerikan dënohet me 30 vjet burg për abuzim seksual

Këngëtari amerikan R. Kelly është dënuar me 30 vjet burg për abuzim seksual me fëmijët dhe gratë.

Artisti i zhanrit R&B, 55 vjeç, u dënua shtatorin e kaluar në Nju Jork për shantazh dhe trafikimit seksual.

Ai ishte përballur me vite të tëra me akuza dhe gjykatësi të mërkurën tha se ai kishte një “indiferencë ndaj vuajtjes njerëzore”.

Avokatët e këngëtarit, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, thonë se ai do të apelojë kundër këtij vendimi.

Përpara dënimit të tij, një pjesë e vogël e grave morën guximin për t’u përballur me Kelly.

Gjykatësja e qarkut amerikan Ann Donnelly tha se këngëtari kishte përdorur seksin si armë, duke i detyruar viktimat e tij të bënin gjëra të papërshkrueshme dhe duke i ngarkuar disa me sëmundje seksualisht të transmetueshme.

“Ju u mësuat atyre se dashuria është skllavëri dhe dhunë”, tha ajo.

Gjykata dëgjoi se si R Kelly përdori ndikimin e tij për t’i joshur gratë dhe fëmijët në abuzim seksual gjatë dy dekadave.

Juristët në gjyqin e tij gjashtë-javor në Bruklin dëgjuan se si ai trafikonte gra midis shteteve të ndryshme të SHBA-së, i ndihmuar nga menaxherët, rojet e sigurisë dhe anëtarët e tjerë të rrethit të tij.

R Kelly ka qenë në paraburgim që kur u padit nga prokurorët federalë në Nju Jork dhe Çikago në korrik të vitit 2019.

Tri vitet e tij pas hekurave kanë qenë plot ngjarje, duke përfshirë një rrahje nga një koleg i burgosur në vitin 2020 dhe një përballje me COVID-19 në fillim të këtij viti.

Këngëtari përballet me veprime të mëtejshme ligjore në gusht, kur ai del sërish në gjyq, këtë herë në Çikago për pamjet e seksit të fëmijëve dhe akuzat për pengim.

Ai gjithashtu do të përballet me akuza për abuzim seksual në gjykatat në Illinois dhe Minesota./BBC