Këngëtaret kthehen mbrapa kur kuptojnë se inspektorët e ATK-së janë në aksion

Në emisionin “Kallxo Përnime” po shfaqen pamje ekskluzive të kontrollit të hetimeve tatimore në diskotekat e Gjakovës.

Në këto diskoteka katër këngëtaret që ishin paraparë të këndonin arritën t’i shmangen inspektorëve tatimorë.

Në diskotekën e parë, këngëtaret e kryen përformimin dhe arritën të largohen me vetura pa u intervistuar përderisa në diskotekën e dytë ku ishte paraparë të këndonin dy këngëtarë të famshëm të estradës, mbrëmja muzikore dështoi pasi këngëtaret u kthyen në gjysmë të rrugës.

Gjatë pothuajse tërë vitit Inteligjenca Tatimore kishte grumbulluar informacione për pasurinë e këngëtarëve, veturat luksoze dhe listën e ndejave të cilat i kishin aranzhuar për periudhën verore.

Përpos këngëtarëve cak i hetimeve tatimore ishin edhe diskotekat, sallat e dasmave dhe DJ të famshëm.

Në këtë operacion tatimor ishin përfshirë mbi 100 zyrtarë të ATK-së.

Me një plan të detajuar kontrolli ku detyra morën hetues të ATK-së dhe zyrtarë të inteligjencës së këtij institucioni në cak ishin të gjitha diskotekat të cilat ndodhen në shtatë rajonet e Kosovës.

Qëllimi i kontrolleve ishte verifikimi dhe vlerësimi i deklarimeve tatimore nga ana e këngëtarëve dhe bizneseve si dhe kontrolli për punëtorë të padeklaruar, të cilët angazhohen gjatë verës nëpër ndeja verore.

Të dhënat e grumbulluara nga kjo Njësi tregojnë për shmangie dhe shkelje të mëdha tatimore të cilat dalin të jenë shokuese.

Këngëtarë me famë në Kosovë që ngasin vetura të shtrenjta dhe bëjnë jetë luksoze janë hasur në kontrollet e ATK-së duke kënduar për vetëm 500 euro.

Të gjitha këto informacione ishin mbledhur me qëllim të ballafaqimit të pasurisë së  këngëtarëve me deklarimet e tyre tatimore në shtet.