Kelmendi mes lotësh i jep fund karrierës: Unë dhe Toni ishim për shumë vite kundër gjithë botës

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, mes emocioneve dhe lotëve sot i dha zyrtarisht fund karrierës së saj si sportiste.

Ajo e përlotur tha se trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka qenë përkrahësi më i madh i saj që nga fillimi i karrierës deri më tani.

“Unë si fëmijë kam qenë shumë e butë, shumë e qetë dhe personi i parë që e ka parë shpirtin tim luftarak është pa dyshim trajneri Toni Kuka”, rrëfeu ajo.

“Unë kam filluar xhudo në moshën 8-vjeçare dhe prej fillimit e deri më sot Toni ka qenë trajneri im, jam rritur me Tonin si garuese edhe ai është rritur me mua si trajner dhe për shumë vite kemi qenë vetëm unë edhe ai kundër krejt botës dhe i kemi treguar botës se sa shumë kemi vlera ne Kosova”, shtoi Kelmendi.

Në këtë ceromoni të organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli edhe trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, i cili tha se “Majlinda u jep shpresë njerëzve të jetojnë në Kosovë”.

“Po flas për ndjenjat e një trajneri kur është përballë përmbylljes së karrierës së një sportiste si  Majlinda”, tha ai më tej.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani e dekoroi kampionen e shumëfishtë, Majlinda Kelmendi, me urdhrin “Shotë Galica”.

“Asnjëherë nuk do të mund t’i dalim hakut për emocionet, për krenarinë e dinjitetin që na e dha si shtet”, deklaroi Osmani.

30-vjeçarja pas garës në Tokio njoftoi për pensionimin e saj nga xhudo.

Xhudistja kosovare në Tokio u eliminua në rundin e parë nga xhudistja hungareze Reka Pupp.

Majlinda Kelmendi kishte arritur sukses të jashtëzakonshëm në Lojërat Olimpike të mbajtura në Rio De Zhaniero të Brazilit, ku kishte arritur të fitojë medaljen e parë të artë olimpike për shtetin e Kosovës.