Arkiv

Kelkos thotë se i mbylli në mënyrë vullnetare tre hidrocentralet

Zyra Rregullative e Energjisë sot ka marrë vendim që të ndërprerje prodhimin e energjisë në tri hidrocentrale përgjatë rrjedhës së  Grykës së Deçanit, në të cilat ishte duke operur kompania Kelkos.

Kjo e fundit ka reaguar ndaj këtij vendimi të ZRrE duke thënë se të tre hidrocentralet janë mbyllur në mënyrë vullnetare dje.

“ KelKos Energy konfirmon se tre hidrocentralet e sapondërtuara Deçan, Belaje dhe Lumbardhi II janë mbyllur vullnetarisht dje pasdite, pasi Lejet Mjedisore nuk janë përfunduar nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit në kohën e duhur. Me këtë është respektuar periudha e përkohshme e licencimit, e përcaktuar për KelKos Energy nga ZRrE”, thuhet në njoftimin e saj.

Kelkos ka vazhduar tutje duke thënë se se kushtet e lejes për Hidrocentralet në Belajë dhe Deçan janë tërësisht të plotësuara ndërsa një konfirmim shtesë i është kërkuar nga Ministria e Ambientit, për atë të Lumbardhit II.

“Gjatë javëve të kaluara, dokumentet e nevojshme dhe të gjitha konfirmimet mjedisore janë sqaruar me Ministrinë e Mjedisit. Në orët e fundit të afatit, Ministria e Mjedisit kërkoi nga KelKos Energy një konfirmim shtesë të ekspertit teknik në lidhje me HEC Lumbardhi II, konfirmim ky qe nuk ndërlidhet fare me ndonje problem mjedisor! Kjo ekspertizë do t’i dorëzohet ministrise. Kushtet e lejes për dy HEC-et e tjera Belaje dhe Decan konsiderohen të plotësuara dhe Kelkos Energy pret nga Ministria e Mjedisit lëshimin e menjëhershëm të Lejeve Mjedisore përkatëse”, thekson kompania.

Kelkos ka thënë se “ këto ditë të mbylljes së përkohshme do të shfrytëzohen për mirëmbajtje dhe pastrim kryesor pas përmbytjeve të mëdha të javëve të fundit”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ndaluar prodhimin e energjisë nga kompania Kelkos në tri hidrocentrale në grykën e Deçanit.

Në mbledhjen e mbajtur sot, drejtori i ZRRE-së Petrit Pepaj ka thënë se kjo ndalesë do të mbetet deri në rilicensimin e kompanive.

Vendimi është marrë në ditën kur kësaj kompanie i ka skaduar licenca për prodhim të enegjisë.