Arkiv

KelKos i quan çorientuese deklaratat e kryetarit të Deçanit për linjat e furnizimit me ujë të pijshëm

Kompania “KelKos Enegy” përmes një deklarate ka reaguar lidhur me akuzat e fundit të kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, se nuk u respektuan normat për linjat e furnizimit me ujë të pijshëm.

“KelKos Energy” pretendon se këto deklarata kanë ardhur si mungesë e infomacionit lidhur me këtë projekt, ku linjat për furnizmim me ujë të pijshëm u ndërtuan të reja në vitin 2015.

“KelKos” thotë se ka investuar rreth 1.5 milionë euro për sistemin e ri të ujit të pijshëm në Deçan dhe fshatra përreth.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve ka thënë se normat për ndërtimin e hidrocentraleve nuk janë respektuar në rastin e hidrocentraleve të ndërtuara nga kompania KelKos.

Ndërsa më tej ai ka shtuar se e gjithë infrastruktura rrugore përgjatë vendeve ku janë ndërtuar hidrocentralet i përket Ministrisë së Infrastrukturës.

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të “Kelkos Energy”:

Gjatë seancës dëgjimore të hënën në komisionin parlamentar, Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka bërë disa deklarata çorientuese lidhur me linjat e furnizimit me ujë të pijshëm në Deçan, të cilat janë ndërtuar të reja nga KelKos Energy në vitin 2015. Dukshëm, kjo ka qenë për shkak të mungesës së informatave lidhur me këtë projekt, faktet janë krejt ndryshe:

Janë ndërtuar të reja dy linjat e furinizimit me ujë të pijshëm për Deçanin dhe për fshatrat afër Deçanit

I gjithë procesi i ndërtimit është mbikqyrur nga një mbikqyrës i pavarur i terrenit nga Hidrodrini

Janë hequr gjitha pjesët e vjetra të instaluara, që kanë përmbajtur materiale potencialisht të dëmshme, që kanë mundur të intoksikojnë ujin e pijshëm

Gjitha burimet ekzistuese të ujit janë lidhur, si dhe janë shtuar burime të reja sipas kërkesës së Hidrodrinit.

Të dyja linjat e ujit të pijshëm janë avancuar me dhoma të reja të burimit të ujit, me dhoma mbledhëse, me ndërtesat e pikave të larta dhe ndërtesat e dorrëzimit

Testimet përfundimtare të dorëzimit të tyre për Hidrodrinin më 11 Maj 2015 kanë treguar rritje signifikante të vëllimit të ujit të pijshëm për minut me gypat e ri.

Planet precise të ndërtimit paraqesin për herë të parë lokacionin e saktë të gypave nëntokësorë.
Investimi total i KelKos Energy në sistemin e ri të ujit të pijshëm për Deçanin dhe fshatrat përreth ka kaluar vlerën prej 1,5 Mio. €. Për pesë vite sistemi operon pa asnjë problem nën menaxhimin e Hidrodrinit.

Duhet të theksohet që ky sistem i ujit të pijshëm operon plotësisht i ndarë nga hidrocentralet përgjatë lumit Deçan. KelKos Energy nuk ka asnjë lloj përfitimi nga sistemi i ri i ndërtuar, që menaxhohet në mënyrë autonome nga Hidrodrini.

Ky është një shembull i cili dëshmon plotësimin 100% të kushteve për KelKos Energy në marrëveshjen me Komunën e Deçanit. KelKos Energy në vitet në vijim do të vazhdoj angazhimin e vet për qytetarët e Deçanit edhe në fushat tjera si kulturë dhe mbështetje shoqërore.

Në mes të muajit shtator është themeluar Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovë.

Ky komision përbëhet nga Eliza Hoxhaj- kryetare, Haxhi Avdyli- nënkryetar, dhe anëtarët: Bajrush Xhemaili, Visar Hoti, Besa Gaxherri, Shpejtim Bulliqi, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Rasim Demiri dhe Zikreta Halili.

Funksionimi i këtij komisioni do të jetë 3 mujor.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar Muhamet Malësiun, drejtor i Departamentit të Mjedisit dhe Ujërave dhe Gani Berishën, drejtor i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Më 12 nëntor, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, ZRRE, i dha kompanisë austriake KelKos një licencë 40-vjeçare për të prodhuar energji elektrike nga dy hidrocentrale të saj, “Belaja” dhe “Deçani”, të cilat kanë qenë objekt i protestave prej vitesh nga aktivistët e mjedisit.

Më 14 tetor, ZRRE-ja refuzoi t’i jepte një licencë të përkohshme KelKos për tre hidrocentrale në luginën e Deçanit mbi bazën që ndërmarrja dështoi të sigurojë një leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit.

Tre anëtarët e bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, Selman Hoti dhe Izet Rushiti votuan në favor të dhënies së licencës, ndërsa Besim Sejfijaj votoi kundër.

Licenca për të gjeneruar energji elektrike nga hidrocentralet do të skadojë në 40 vjet, ndërsa leja mjedisore për dy hidrocentralet do të duhet të rishikohet pas pesë vjetësh.

Në të njëjtën ditë, lejet mjedisore të KelKos  për dy hidrocentrale u publikuan.

KelKos ka qenë objekt i një numri protestash nga aktivistët mjedisorë në Deçan, ndërsa në vitin 2018, Komuna e Deçanit deklaroi se do të ngrinte një padi kundër kompanisë për mosrespektimin e detyrimeve mjedisore.

Në qershor të vitit 2020, një numër i organizatave të shoqërisë civile i shkruan një letër të hapur Ambasadës Austriake, duke dënuar mbështetjen e saj për KelKos dhe presionin e pretenduar që ajo kishte ushtruar mbi institucionet e Kosovës.

Në shtator, pas një takimi me aktivistë të mjedisit dhe organizata të shoqërisë civile, Ministri Kuçi tha se ai ishte “i turpëruar ” për shkallën e degradimit në lumenjtë e Kosovës. “Unë nuk kam shkuar për të parë [luginën e Deçanit] sepse ndjeva turp për atë që ndodhi atje, por gjithashtu, duhet të jetë e qartë që unë nuk e kam mbajtur këtë post dhe nuk jam përgjegjës për degradimin”, tha Kuçi në shtator.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i dha leje afatgjate për prodhim të energjisë kompanisë KelKos në kohën kur Kuvendi i Kosovës tashmë ka të themeluar një komision për të hetuar të gjithë Procesin e Licencimit, Operimit, Mbikëqyrjes dhe Operimit për Leje të Hidrocentraleve.

Ky komision ishte propozuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli.