Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek
KEK-u u jep punëtorëve nga 200 euro bonus për fundvit e ua rrit rrogën për 50 euro nga janari
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të marrin 200 euro bonus për fundvit ndërsa nga janari i vitit 2025 pagën do ta kenë me 50 euro rritje.
Kështu ka bërë të ditur Korporata pas arritjes së marrëveshjes me Sindikatën e Re të KEK (SR-KEK).
Në njoftimin e KEK thuhet se pas kësaj marrëveshjeje me SR-KEK këta të fundit kanë vendosur për të ndërprerë çdo aktivitet sindikal të paralajmëruar më parë.
“Menaxhmenti i KEK-ut, duke mirëkuptuar kërkesën e përfaqësueseve te punëtorëve dhe me synim te përmirësimit te mirëqenies se tyre, por njëkohësisht te vëmendshëm për sfidat dhe vështirësitë financiare të pritshme, ka propozuar dhënien e një bonusi prej 200 eurosh për fundvit dhe rritje të pagave prej 50 eurosh për të gjithë punëtorët, me efekt nga muaji janar 2025”- ka bërë të ditur KEK.
Kjo ndërmarrje ka theksuar se në takimin e SR-KEK ka njoftuar ata për sfidat të cilat e presin Korporatën.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a., në kuadër të takimeve të vazhdueshme me Sindikatën e Re të KEK (SR-KEK), zhvilloi një takim të rëndësishëm ditën e djeshme, ku njoftoi sindikatën mbi sfidat dhe përballjet që do të ketë KEK në periudhën e ardhshme. Kjo për shkak të planifikimeve për implementimin e projekteve madhore, si revitalizimi (modernizimi i turbinave) dhe ndërtimi i elektrofiltrave dhe DeNOx-it në dy njësitë e TC-B-së, revitalizimi i një njësie në TC-A dhe investimeve në teknologjinë e minierës. Këto projekte janë të rëndësishme, por natyrisht do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve të e prodhimit”- vazhdon njoftimi.
KEK e ka quajtur hap të rëndësishëm këtë marrëveshje me Sindikatën.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të ruajtur bashkëpunimin midis menaxhmentit të KEK-ut dhe sindikatës, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të balancuar sfidat financiare dhe realizimin e projekteve të rëndësishme për sektorin energjetik të Kosovës”- thuhet në njoftim.
Sindikata e Re e KEK-ut kishte paralajmëruar grevë në rast të mospërmbushjes së kërkesave për rritje page, pagesë të rrezikshmërisë e pagesë për fundvit.