
KEK-u prezanton projektin 137 milionësh për rehabilitimin e Njësisë A3 - Kurti thotë se do të dyfishohet prodhimi në këtë Njësi
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sot, më 24.01.2025, ka prezantuar projektin për rehabilitimin dhe modernizimin e Njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”.
Pas këtij projekti që pritet të kushtojë rreth 137 milionë euro, pritet që Njësia A3 të prodhojë më shumë dhe të ndotë më pak.
Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në prezantimin e projektit, tha se Kosova e ka të miratuar një Strategji që pëfshin trekëndëshin e sfidave, siç e quajti ai, që duhet baraspeshuar dilemën moderne në sektorin e Energjisë.
“Në një kënd e kemi sigurinë e furnizimit, në një tjetër e kemi përballueshmërinë e kostos dhe të tretën e kemi uljen e ndotjes dhe energjinë e pastër.” – tha Kurti.
“Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3-shit i shërben kësaj strategjie – duke e përthekuar çdo cep të dilemës energjetike. Ky investim synon që të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmërinë mjedisore të Njësisë A3, e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Kosovë”.
Sipas Kurtit, pasi të përfundojë projekti, Njësisë A3 do t’i zgjatet jetëgjatësia për 20 vjet, si dhe do t’i shtohet kapaciteti i prodhimit nga rreth 140 megavat sa është aktualisht, në 215 megavat pasi të përfundojë.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pas krizës së energjisë së vitit 2022 ishte nënshkruar Kontrata për modernizimin e turbinave të termocentralit “Kosova B”. Sipas saj, prishja e turbinave ishte shkaktari për importin e 50 milionë eurove në kohën e krizës.
“Me realizimin e atij projekti jo vetëm që Kosova B do të jetë më i besueshëm, por edhe kapaciteti do të rritet për 35 megavatë. Vitet e ardhshme përderisa do të zbatohen këto projekte, do të jenë sfiduese për të gjithë, sepse një kohë do të jenë Termocentralet jashtë funksionit dhe do të duhet një punë e jashtëzakonshme.” – ka thënë ndër të tjera Rizvanolli.
E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri tha se qëllimi kryesor i investimit është përmirësimi i standardeve mjedisore.
“Një nga qëllimet kryesore të këtij investimi është përmirësimi i standardeve mjedisore, ku pas përfundimit të modernizimit Njësia A3 do të operojë në përputhje me rregullat dhe direktivat e Bashkimit Evropian – duke kontribuuar në një sektor energjetik dhe ruajtjen e mjedisit.” – ka thënë Gërguri.
Projekti planifikohet të finalizohet përafërsisht për 740 ditë kalendarike, nga nënshkrimi i Kontratës.
Ndryshe, divizioni i Gjenerimit të Energjisë përbëhet nga Termocentralet “Kosova A”, “Kosova B” dhe Seperimet Kimike, që janë të vendosura në rrethinën e Obiliqit, që gjenden rreth 8 km larg Prishtinës, Kryeqytetit të Republikës së Kosovës.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë Blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Blloku A1 i këtij Termocentrali është lëshuar në punë në vitin 1962, me fuqi prej 65MW; A2 në vitin 1965, me fuqi prej 125MW; A3 në vitin 1970, me fuqi 200MW; A4 në vitin 1971, me fuqi 200MW dhe A5 në vitin 1975 me fuqi prej 210MW. Blloqet A3, A4 dhe A5 janë funksional.
Sipas planit aktual në prodhim përdoren dy Blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak të gatishmërisë së tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre. Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune – pa status të definuar dhe sipas planeve aktuale ato do të mbesin kështu deri në fund, kur pritet të bëhet dekomisionimi i tyre së bashku me Njësitë tjera. Prodhimi vjetor i energjisë elektrike nga TC “Kosova A” është rreth 1500GWh.