KEK-u ndalon prodhimin e energjisë nga një njësi e termocentralit Kosova A

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka nxjerrë nga operimi njësinë A-3 të termocentralit Kosova A.

Sipas njoftimit të KEK-ut, mos operimi i këtij blloku nuk rrezikon furnizimin me energji elektrike.

Ky bllok do të kthehet në operim në fund të muajit shkurt.

Aktualisht, sipas zëdhënësit të KEK-ut Skënder Bucolli, në funksion janë dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MW/h energji elektrike.

Sipas tij, kjo nxjerrje nga operimi është bërë sipas planifikimeve dhe këta megavatë janë të mjaftueshme për furnizim të plotë me energjinë e nevojshme.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se sot në ora 00:00 dt. 29.01.2022 njësia A-3 e TC Kosova A është nxjerre nga operimi dhe sipas planit pritet të ri-kthehet në operim me dt.27.02.2022 ora 24:00. Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MË/h energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.