
KEK-u liron Bekir Gërgurin nga pozita e U.D. Kryeshefit, emëron Gramos Hashanin
Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës më 27.02.2025 ka liruar Bekir Gërgurin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.
Nga detyra është liruar edhe U.D. zëvendës Kryeshefi Ramadan Budakova.
Ky Bord ka marr vendim për shpalljen e Konkursit Publik për pozitën e Kryeshefit.
U.D. i ri i Kryeshefit është emëruar Gramos Hashani.
“Në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (u.d.) të KEK Sh.A., Bordi ka emëruar z. Gramos Hashani, i cili deri tani ka mbajtur pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit (ZKFTH) në KEK Sh.A. Ndërsa, në pozitën e ZKFTH (u.d.) të KEK Sh.A., është emëruar z. Gëzim Paci, i cili deri tani ka mbajtur pozitën Menaxher i Pasurisë në Divizionin e Financave” – thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Bordi i Drejtorëve thuhet se ka falënderuar Gërgurin dhe Budakovën për kontributin sidomos për menaxhimin e stuatës pas sulmit në Kanalin e Ibër Lepencit.
Në njoftimin e KEK-ut nuk tregohet arsyeja se pse u liruan Gërguri dhe Budakova nga detyra.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025. Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti për disa prej tyre shpërndau kartelat e punës.
Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11.01.2025 për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025.
Në ceremoni përveç Kryeministrit mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe u.d. kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, si dhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi.
Në media dhe në rrjetin social TikTok është folur për këta të punësuar. Aty pretendohet se shumica nga 220 të punësuarit janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe u.d. kryeshefi i KEK-ut, Bekir Gërguri (shih: këtu, këtu dhe këtu).
KALLXO.com kishte dërguar pyetje me e-mail për këtë çështje te KEK-u, më 06.01.2025, 14.01.2025, 16.01.2025 dhe 23.01.2025.
Këto pyetje për punësimet në KEK mbetën pa përgjigje nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Për këtë çështje, KALLXO.com ka biseduar edhe direkt me Bekir Gërgurin, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të KEK-ut.
Në pyetjen se a është e vërtetë që shumë prej 220 të puënsuave në KEK janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe vetë Gërguri, ai u përgjigj me “Është e vërtetë”.
“Është e vërtetë, se edhe Mihja Sipërfaqësore e ka emrin Mihja e Bardhit. Nuk e ka emrin Mihja e Prishtinës, por është e Bardhit. Nuk është e vërtetë. Numri 220 është numri i përgjithshëm. Kanë pasë të drejtë më marrë të barabartën secili kandidat, barabartë.” – deklaroi Gërguri për KALLXO.com.
Ai nuk u përgjigj në pyetjen se sa të punësuar janë nga fshati Bardh – duke drejtuar ekipin që pyetjet të dërgohen te zëdhënësi i KEK-ut.
Bekir Gërguri nga e enjtja, 22.02.2024, kishte nisur punën në pozitën e re, si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Bekir Gërguri e ka konfirmuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai ishte edhe kandidat i kësaj partie për Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës.
Në një bisedë për KALLXO.com, Bekir Gërguri e pranon që është pjesë e partisë që udhëheq me qeverinë e Kosovës, por mohon që është favorizuar nga partia e Albin Kurtit për t’u emëruar U.D. kryeshef në KEK.
“Nuk e di çfarë pyetje kjo, çka po ju intereson? Po, (jam anëtar i LVV-së), përgjigjen e paskeni…” – ka deklaruar ai.
Tutje, Gërguri nuk ka dashur të japë informacione. “Çdo gjë që ju intereson, shkoni në institucione…”
Anëtari dhe ish-kandidati për asamble i LVV, emërohet U.D. kryeshef në KEK