
Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek
KEK-u konfirmon se pati zjarr në afërsi të Termocentralit “Kosova A”, thotë se s'ka rrezik
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka konfirmuar se ka pasur një zjarr në afërsi të Termocentralit “Kosova A”, por ka thënë se nuk ka shqetësim dhe rrezik në lidhje me operimin dhe sigurinë e këtij termocentrali. Njësia A4, siç njofton KEK-u, është çkyçur nga funksioni në mënyrë të rregullt.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, përmes një video të publikuar me 18.10.2024 në rrjetin social Facebook, ka pretenduar se ka pasur një shpërthim në Termocentralin “Kosova A” në KEK.
Ndërkohë, përmes një komunikate për media, KEK-u ka thënë se ekipet e miërmbajtjes janë angazhuar për sanimin e gjendjes, kurse zjarri i rënë jashtë njësisë A4 është lokalizuar dhe fikur nga zjarrfikësit.
Sipas KEK-ut, Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve.
“Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit. Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë” – thuhet në komunikatën për media të KEK-ut.
Ferat Shala i PDK-së pretendon se ka pasur një shpërthim në Termocentralin “Kosova A”