
Ilustrim
KEK-u e ftoi, Kompania nuk ofertoi, anulohet tenderi për ekspertiza financiare ndërkombëtare në Arbitrazh
KEK-u e ftoi, mirëpo Operatori Ekonomik i cili u ftua nga kjo Korporatë që merret me prodhimin e rrymës në Kosovë nuk e dorëzoi ofertën në platformën “E-prokurimi”.
Kështu thuhet në Vendimin e anulimit të tenderit për angazhimin e Kompanisë për ekspertizë financiare ndërkombëtare për nevoja të Arbitrazhit.
“Operatori Ekonomik i ftuar për dorëzim të ofertës dhe negocim nuk e ka ngarkuar ofertën në platformën E-prokurimi.” – thuhet në Vendimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka dhënë më shumë detaje, apo emrin e Kompanisë.
Anulimi i këtij tenderi u bë i ditur sot, më 11.02.2025, në platformën elektronike për prokurimin publik në vend: E-prokurimi.
Për këtë aktivitet të prokurimit KEK-u ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për Kontratë dhe si kriter për dhënie të Kontratës kishte përcaktuar – çmimin më të ulët.
Vlera e parashikuar e Kontratës për këtë tender është 100,300 euro.
Objekti i Kontratës është kryerja e shërbimeve, si:
- Përgatitja e ekspertizës financiare në emër të paditësit për të justifikuar pretendimet e tij;
- Përgatitja e përgjigjes në ekspertizën e ekspertit financiar te pala e paditur; dhe
- Mbrojtja e kësaj ekspertize gjatë seancave të Arbitrazhit.
Ndryshe, më 04.02.2022, në emisionin “Kallxo Përnime” përballë Jeta Xharrës, Nagip Krasniqi atëkohë Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, pati përmendur Arbitrazhin.
Në emision Krasniqi kishte thënë se 65 milionë euro është shuma që Kompania private KEDS i ka Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që nga muaji shtator e deri në fund të janarit.
“Prej shtatorit deri në përfundim të janarit është 65 milionë euro. Sepse, nuk mund ta çosh në përmbarim, para se me përfundu disa procese, siç është letërkujtesa, komunikimet.” – tha Krasniqi.
Tutje, në këtë intervistë Nagip Krasniqi bëri të ditur se në rast të moskthimit të borxhit, çështja mund të përfundojë në Arbitrazh, në Tribunal në Zvicër.
“E dyta, duhet ta dini që procesi i përmbarimit të këtyre kompanive nuk bëhet në juridiksionin kosovar – sipas Kontratës së nënshkruar. Kjo bëhet në Tribunal në Zvicër, në Arbitrazh. Unë po them që nuk mund të zhvillohet procedura përmbarimore në juridiksionin e Kosovës.” – tregoi Krasniqi.
Ai pati thënë se ka zhvilluar takime me zyrtarët e KEDS-it, por ata janë arsyetuar se “nuk kanë mjete”.
Sa milionë euro borxh i ka KEDS-i – KEK-ut?