Foto: KEK

KEK-u bën shpime në Kuzmin të Fushë-Kosovës, kërkon qymyr

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka filluar realizimin e një programi të shpimeve hulumtuese në disa sipërfaqe të kufizuara në zonën e Fushë-Kosovës, përkatësisht në fshatin Kuzmin të kësaj komune, për masa potenciale të qymyrit.

KEK ka njoftuar se është formuar një komision i veçantë që merret me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve eventuale pasi nevojitet qasja në disa prona private.

“Në parim, të gjithë pronarët njoftohen paraprakisht rreth aktiviteteve eventuale në pronat e tyre private. Ne lidhje me këtë, konkretisht në fshatin Kuzmin, nesër me 24.04.2020, ora 10, është caktuar një takim me të gjithë banorët të cilët potencialsht mund të afektohen nga ky aktivitet, lidhur me procedurat e kompensimit të dëmeve eventuale”, thuhet në komunikatën e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha sot në një konferencë për media se nuk është i informuar për këto shpime.