KEK shqyrton mundësinë që t’i jap në shfrytëzim thëngjill termocentraleve të Maqedonisë së Veriut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka zhvilluar një takim me Elektaranën e Maqedonisë së Veriut (ESM) me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit në sektorin energjetik ndërmjet dy kompanive shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike.

Në njoftim thuhet ESM dhe KEK kanë filluar të intensifikojnë bashkëpunimin për ta tejkaluar më lehtë krizën energjetike dhe situatën për sezonin e ardhshëm të dimrit.

Në komunikatën e KEK-ut, bëhet e ditur se në takimin e mbajtur u shqyrtuan mundësitë e shfrytëzimit të thëngjillit nga Kosova në termocentralet e Maqedonisë së Veriut.

“Në takimin e mbajtur në zyrat e ESM-së në Shkup në nivelin më të lartë udhëheqësish, u shqyrtuan mundësitë e shfrytëzimit të thëngjillit nga Kosova në termocentralet e Maqedonisë së Veriut, si dhe mundësia e mbështetjes reciproke ndërmjet dy sistemeve”, thuhet në komunikatë.

Më tej, KEK njofton se gjatë takimit u konkludua se grupet e punës nga të dy kompanitë shtetërore në kohë sa më të shkurt do të vendosin procedurat për realizimin e bashkëpunimit të dakorduar.

“Gjatë takimit u konkludua se grupet e punës nga të dy kompanitë shtetërore në kohë sa më të shkurt do të vendosin procedurat për realizimin e bashkëpunimit të dakorduar, si dhe që qeveritë e të dy vendeve, përkatësisht Ministrat e Ekonomisë të njoftohen për hapat e ardhshëm, të cilat janë në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror të dakorduar në pjesën e energjetikës nga Ministrat e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Artane Rizvanoli në dhjetor 2021”, njofton KEK-u.

Sipas komunikatës, në takim morën pjesë Drejtori Gjeneral i ESM, MSc Vasko Kovaçevski, Bordi Drejtues i ESM, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Këshilltari në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës, Milot Kelmendi.