Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

KEK: Pas funksionalizimit të njësisë B-2, Termokosi do fillojë me ngrohje

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ekipet e ekspertëve janë mobilizuar për të sanuar rrjedhjen e ujit në njësinë B-2 dhe kthimin e kësaj njësie në punë gjatë ditës së nesërme, si pasojë deri nesër edhe Termokosi do të ketë mungesë të energjisë termike.

Sipas KEK-ut, sot rreth orës 05 :00, si pasojë e rritjes së shpenzimit të ujit në njësinë B-2, kjo njësi është nxjerrë nga operimi dhe si pasojë Termokosi ka pasur mungesë të energjisë.

Tutje, KEK ka thënë se në vazhdën e bashkëpunimit që kanë me Korporatën Energjetike Shqiptare për shkëmbimin e energjisë elektrike, KEK-u menjëherë ka siguruar nga KESH-i gjysmën e energjisë (100 megawat) e cila është dashur të prodhohet nga kjo njësi.

“Ndërkohë që pjesa tjetër e konsumit duhet të sigurohet nga kompania përgjegjëse për furnizimin e qytetarëve me këtë produkt”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë për KALLXO.com se kjo rrjedhje ka ndodhur si pasojë e vjetërsisë së bllokut.

“KEK-u aktualisht në bllokun B2 për shkak të vjetërsisë, punëve ka pasur rrjedhje. Ne krejt e dijmë që ato blloqe e kanë kaluar jetëgjatësinë. Por qe 10 vite kemi arritur të i sanojmë. Falë këtyre sanimeve me rregull ne jemi tu i mbajtë në funksion”, tha Bucolli.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.