KEK njofton sa është sasia e energjisë elektrike e siguruar nga bashkëpunimi me Shqipërinë

Korporata Energjetike të Kosovës (KEK) ka thënë se bashkëpunimi me Korporatën Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) në përballimin e krizës energjetike po vazhdon me sukses.

KEK ka njoftuar se nga sasia e depozituar (mbi 120.000 MW/h) e cila ishte paraparë t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit dimëror ka arritur të sigurojë energji elektrike për orë të caktuara (në kohë të pikut) kur konsumi vendor në Kosovë po shënon ngritje.

“KEK ditën e djeshme me datë 15.08.2022 nga KESH-i ka siguruar sasinë prej 100 MW/h duke filluar nga ora 14:00 deri në orën 24:00, (në total 1100 MW/h), ndërsa për sot më datë 16.08.2022, KEK po ashtu ka siguruar sasinë prej 100 MW/h nga ora 10:00 deri në orën 22:00. (në total 1200 MW/h)” – thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se KEK ka bërë kërkesë që kjo gjendje të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“KEK ka bërë kërkesë tek KESH-i që bazuar në kapacitetet që kanë në dispozicion kjo gjendje të vazhdojë edhe në ditët në vijim, apo deri sa akterët përgjegjës t’i përmbushin obligimet e tyre sipas licencës” – thuhet në komunikatë.

Pas fillimit të kufizimit të furnizimit me energji elektrike, KEDS ka rikthyer furnizimin e rregullt me energji elektrike dje.

Kjo pasi është arritur marrëveshja mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH).

“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

KEDS kishte njoftuar më 14 gusht se kishte pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar ishin planifikuar të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.