KEK njofton për detyrat shtesë rreth sigurimit të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se i janë deleguar detyra shtesë për të siguruar energji elektrike edhe përkundër faktit se kjo përgjegjësi është e furnizuesit publik.

Në njoftim është thënë se lidhur me këtë KEK sot ka pranuar disa rekomandime nga Komiteti Teknik për Energji.

Sipas KEK-ut, rekomandimi kryesor që KEK të shfrytëzojë mjetet e mbetura, sipas tyre, rreth 7 milionë euro nga subvencioni i bartur nga Qeveria e Kosovës për import të energjisë elektrike për të mbuluar kërkesën vendore, kjo sipas tyre me qëllim të furnizimit të pandërprerë dhe eliminimit të devijimeve.

“Aktualisht, KEK është duke punuar intensivisht me Ministrinë e Ekonomisë në finalizimin e marrëveshjes për jetësimin e rekomandimeve të Komitetit Teknikë të Energjisë” – është thënë në njoftim.

Tutje është thënë se në kohën kur në vend rritet konsumi, KEK po vazhdon të pranojë një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

“Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitoj sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundor dhe evitimin e reduktimeve” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu është thënë se në këtë drejtim, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120.000 MWh, ndërsa gjatë 4 ditëve të fundit nga KESH-i kemi pranuar rreth 3,500 MWh.